Këshilltarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryetares së Këshillit Bashkiak, duke kërkuar transparencë dhe shpjegime lidhur me situatën e drejtimit të bashkisë pas raportimeve për shkarkimin e dytë të Anuela Ristanit nga detyra.
Zhulali kërkon që dokumenti zyrtar i shkarkimit të bëhet publik dhe të përcaktohet qartë se kush aktualisht mban postin drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe ka të drejtën të nënshkruajë kontrata, marrëveshje financiare apo akte administrative. Ajo ngre edhe pyetjen nëse firma e Erion Veliajt vazhdon të njihet si akt vendimmarrës legjitim nga bashkia.
Ndër të tjera, Zhulali thekson shqetësimet që kanë dalë për krizën e mundshme në transportin publik urban, duke kërkuar detaje për shkaqet e vështirësive financiare që hasin operatorët, për negociatat e bashkisë me Shoqatat e Transportit dhe për hapat që po ndërmerren për të parandaluar reduktimin e shërbimeve të autobusëve.
Si përmbyllje të kërkesës, këshilltarja demokrate kërkon mbledhjen e menjëhershme të një seance të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, përgjigje të shkruara për çdo pikë të ngritur dhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit zyrtar përkatës.
Reagimi i plotë:
E nderuar Zj. Kryetare,
I. Përmes medias jam njohur me lajmin se Erion Veliaj, aktualisht në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë brenda pak muajsh znj. Anuela Ristani nga funksioni i kryetares së komanduar/ushtruese të detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky lajm ka krijuar pasiguri të plotë ligjore dhe publike mbi drejtimin aktual të Bashkisë Tiranë, dhe kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës.
Në këtë kuadër, kërkoj të informohem zyrtarisht dhe në mënyrë shterruese mbi sa vijon:
1. Njohjen me shkresën zyrtare përmes së cilës është kryer ky shkarkim i dytë, dhe kohën kur është firmosur dhe protokolluar ajo?
2. Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?
3. Kush ka aktualisht autoritetin institucional për të negociuar, vendosur dhe firmosur në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime me efekt mbi buxhetin e bashkisë?
4. A ekziston sot një zinxhir i qartë dhe i pandërprerë komandimi institucional brenda Bashkisë Tiranë, dhe nëse po, kërkoj të na vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës?
5. Cilat masa janë marrë apo parashikohet të merren për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal institucional të bashkisë, në kushtet e kësaj paqëndrueshmërie drejtuese?
6.A njihet zyrtarisht prej Bashkisë Tiranë firma e Erion Veliaj si vullnet legjitim vendimmarrës?
Kujtoj se një situatë e ngjashme u krijua disa muaj më herët, kur u shkarkua znj.Ristani dhe në vend të saj u emërua znj.Goxhaj, për të cilën nuk pati asnjëherë një përgjigje zyrtare!!
II. Paralelisht, përmes medias jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare te Transportit Qytetas dhe Shoqatës se Transportit Urban dhe Interurban, datë 11 gusht 2026, mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik.
Duke patur parasysh rëndësinë dhe peshën e këtij shërbimi për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe personave të tjerë (vendas apo të huaj) që përdorin transportin publik, kërkoj sqarime zyrtare mbi sa vijon:
7. Cilat janë arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve të transportit publik urban?
8. Kush është aktualisht, në emër të Bashkisë Tiranë, në kontakt dhe/ose negociata me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, dhe me institucionet qendrore përgjegjëse?
9. Cilat masa konkrete po ndërmerren nga Bashkia Tiranë për të parandaluar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimësinë normale të shërbimit të transportit publik?
10. A është realizuar ndonjë komunikim zyrtar deri më sot mbi këtë çështje, dhe nëse po, kërkoj kopje të korrespondencës përkatëse.
Në bazë të sa më sipër, kërkoj
1. Thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Tiranë, me rend të ditës situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban.
2. Përgjigje zyrtare me shkrim ndaj çdo pike të ngritur, brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak.
3. Vënien në dispozicion të çdo dokumentacioni zyrtar mbështetës, përfshirë akte administrative, korrespondencë institucionale dhe informacion financiar përkatës.
Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional.
Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke ju falënderuar,
Ilda Zhulali
Këshilltare
Nënkryetare e Grupit
Partia Demokratike

