Veprat e shkrimtarit Skënder Drini janë vënë në fokus të një konkursi letrar mes nxënësve të shkollave të mesme të Shkodrës, në kuadër të çmimit “Bota letrare e Skënder Drinit”.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës nga gjimnazet “28 Nëntori”, “Oso Kuka”, “Shejnaze Juka” dhe Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, të cilët prezantuan analizat dhe interpretimet e tyre mbi krijimtarinë e autorit.
Nisma është organizuar nga Forumi “Lëvizja Qytetare”, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike “Marin Barleti” dhe shkollat pjesëmarrëse, me synimin për të nxitur leximin dhe për t’i afruar të rinjtë me vlerat e letërsisë shqipe.
Konkursi u përqendrua në tri vepra të Skënder Drinit, përmes të cilave nxënësit ndanë përshtypjet, emocionet dhe mesazhet që kishin përcjellë tek ata veprat e shkrimtarit.
Programi u pasurua edhe me shfaqjen e dokumentarit “Skënder Drini dhe krijimtaria e tij”, realizuar nga gjimnazi “28 Nëntori”, si dhe me ekspozimin e një tabloje abstrakte të punuar nga nxënësit e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, e frymëzuar nga bota emocionale e krijimtarisë së autorit.
Skënder Drini është një nga emrat e njohur të letërsisë shqipe, me një krijimtari të gjerë në roman, tregim, ese dhe publicistikë.
