Partia Demokratike ka bërë të ditur se do të bashkohet zyrtarisht me protestën kundër Edi Ramës, ndërsa duke përjashtuar çdo manifestim kundër investimit të familjes Trump në Zvërnec. Berisha ka urdhëruar demokratët të dalin nga izolimi dhe të rreshtohen me qytetarët në protestën e planifikuar në bulevard.
“Kërkesa e qytetarëve për largimin e tij është më se legjitime. Çdo demokrat dhe demokrate, çdo mbështetës dhe mbështetëse e jonë duhet ta mbështesë këtë protestë në të gjitha mënyrat. Kjo herë, mbështetja duhet të jetë pa simbolet e partisë. Le të udhëheqë rinia, sepse është një protestë qytetare dhe rinore. Ftesa ime është që çdo mbështetës, çdo simpatizant, çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike të jetë prezent në protestë. Kjo do të jetë protesta më rinore dhe qytetare që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë,” tha Berisha.
Me një nuhatje të mirë për pozitat europiane përballë Trump, Berisha ka njoftuar se ia ka bërë me dije Partive Popullore Europiane mbi protestat gjatë një vizite në Sarajevë, ku ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare.
“Kam kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këto protesta, duke siguruar audiencën se diktatorët nuk marrin vendime të drejta. Informova të pranishmit se kjo protestë nuk është organizuar nga Partia Demokratike, por është plotësisht mbështetur prej saj, dhe shpjegova arsyet për këtë,” shtoi ai.
Megjithatë, Berisha gjithmonë ka një strategji të veçantë. Ai bën thirrje për mbrojtjen e natyrës, por shmang të flasë për Kushner dhe Zvërnecin. Ai do të nxjerrë demokratët në bulevard, por vetë nuk do të marrë pjesë. Pjesërisht, ai ka anuluar foltoret dhe protestat para kryeministrisë, duke i lënë bulevardin qytetarëve.
Por sa i besueshëm është plani për të protestuar ndaj Ramës, ndërsa shmang debatin për Zvërnecin? Nëse Berisha vazhdon të jetë non grata, ai përballet gjithashtu me kompleksin e tij ndaj oqeanit që e ndan nga Donald Trump.

