Belinda Balluku është një grua e hekurt, një burrneshë në politikën shqiptare, e cila në qarqet ku ka ushtruar detyrën e drejtueses politike ka lënë pas një emër dhe një raport me njerëzit që nuk ndërtohet me fjalë boshe. Rezultatet e saj elektorale kanë qenë rekord, por ajo që e dallon edhe më shumë është vlerësimi që qytetarët vijojnë t’i japin edhe pas largimit të saj nga drejtimi politik i këtyre qarqeve.
Mjafton të shkosh në zonat ku Belinda ka qenë drejtuese politike dhe të pyesësh njerëzit për të kuptuar se sa e vlerësojnë figurën e saj. Sepse ajo që ka bërë diferencën është mbajtja e premtimeve elektorale. Premtimet nuk kanë mbetur në letra, as nuk janë harruar sapo kanë përfunduar fushatat. Belinda ka ditur të krijojë një raport me qytetarët përmes angazhimit dhe punës konkrete.
Ajo ka një karakteristikë që e dallon nga shumë politikanë të tjerë: nuk merret me fjalë, servilizma, mashtrime dhe intriga televizive. Nuk ka nevojë të dalë çdo ditë në studio për të krijuar imazh apo për të shitur një realitet që nuk ekziston. Belindës i flasin puna dhe rezultatet. Ajo është një politikane që, pavarësisht debateve dhe kritikave që mund të ketë pasur, ka ditur të lërë gjurmë në zonat ku ka drejtuar.
Por në krahun tjetër kemi Elisa Spiropalin, një figurë që përfaqëson krejt të kundërtën e këtij modeli. Një politikane që, në vend të besimit dhe mirënjohjes, ka përdorur mashtrimin dhe pabesinë si armët e saj më të forta politike.
Në qarqet ku ka qenë drejtuese politike, Elisa nuk ka lënë pas një bazë të kënaqur socialiste, por pakënaqësi, zhgënjim dhe njerëz të tradhtuar nga premtimet që u janë bërë. Aq i dëmtuar është raporti i saj me një pjesë të faktorëve lokalë, saqë duket se nuk ka më as fytyrë të kthehet në ato zona për të pirë një kafe me njerëzit që dikur i qëndronin pranë.
Shembulli më flagrant është Shkodra. Atje Elisa Spiropali jo vetëm që nuk mbajti premtimet elektorale, por la pas një situatë që, sipas realitetit të përjetuar nga shumë socialistë të zonës, i ka shkaktuar dëme të mëdha Partisë Socialiste. Me gënjeshtra, pabesi dhe premtime të pambajtura, ajo shkatërroi besimin e shumë njerëzve që e mbështetën dhe që prisnin prej saj përfaqësim, angazhim dhe zgjidhje konkrete.
Por çështja e Elisa Spiropalit në Shkodër nuk mbaron vetëm te premtimet e pambajtura dhe dëmi politik që i la Partisë Socialiste. Gjatë qëndrimit të saj në këtë qytet, ajo e përdori këtë gjë për interesa dhe përfitime personale, konkretisht për përfshirjen si aksionere në kullat e Shkodrës. Një pikëpyetje që kërkon përgjigje të qarta: Si përfundoi Elisa Spiropali e lidhur me interesa biznesi në një qytet ku kishte përgjegjësi politike? Shkodranët meritojnë të dinë të vërtetën për këto marrëdhënie dhe interesat që mund të jenë krijuar gjatë kohës që ajo drejtonte politikisht qytetin. Nuk mund të kërkosh besimin e qytetarëve dhe të përfaqësosh një forcë politike, ndërkohë që mbi emrin tënd rëndojnë pikëpyetje të tilla.
Si mund të kërkosh besimin e njerëzve, kur vetë i ke zhgënjyer? Si mund të flasësh për përfaqësim politik, kur në zonat ku ke pasur përgjegjësi ke humbur besimin e atyre që të mbështetën? Politika nuk është një zyrë që e merr me emërim dhe as një post që të jep të drejtën të harrosh njerëzit sapo të mbarojë fushata.
Por karriera politike e Elisa Spiropalit nuk mund të shihet e shkëputur nga mbështetja që i ka dhënë Edi Rama. Kryeministri i ka besuar poste të rëndësishme në qeveri dhe i ka hapur dyert e pushtetit, duke i dhënë mundësi të ngjitet në nivele që, sipas këtij vlerësimi, nuk i ka justifikuar me rezultatet e saj në terren.
Dhe ironia më e madhe është se, ndërsa Edi Rama i ka besuar poste dhe përgjegjësi, Elisa është akuzuar për përdorimin e kësaj afërsie politike për të ndërtuar ndikim përmes intrigave, përplasjeve dhe lojërave pas shpine. Një mënyrë politike që nuk ndërton besim, por konsumon edhe marrëdhëniet me ata që të kanë dhënë mundësinë të jesh aty ku je.
Në fund, dallimi është i qartë: njëra vlerësohet për punën dhe premtimet e mbajtura, ndërsa tjetra përballet me akuza të rënda për mashtrime, pabesi dhe zhgënjim të njerëzve që e kanë mbështetur.
Sepse në politikë mund të të japin poste, mund të të promovojnë dhe mund të të hapin dyert e pushtetit, por respektin e njerëzve nuk ta jep askush me dekret. Atë ose e fiton me punë, ose e humbet me gënjeshtra dhe pabesi.
