Bashkia Shkodër ka shpallur fituesit e aktiviteteve që do të organizohen në qytet, por në listën e publikuar vihet re një dallim në informacionin financiar. Për disa projekte është bërë e ditur vlera e buxhetit të miratuar, ndërsa për tri aktivitete të tjera shuma nuk është afishuar.
Sipas listës së publikuar për aktivitetet në partneritet me të tretë, fituesit dhe buxhetet e miratuara janë:
“Shkodra dhe Napoli” – Nereida Fico (PF), me buxhet të miratuar prej 300.000 lekësh.
“Gëzuar 2027 me bejten shkodrane” – Shoqata “Bejta Shkodrane”, me buxhet të miratuar prej 300.000 lekësh.
“Në tingujt e shpirtit të Tonin Harapit” – Qendra “Ujvart”, me buxhet të miratuar prej 1.000.000 lekësh.
“Mama” – Rrjeti i organizatave “Zëri i të rinjve”, me buxhet të miratuar prej 300.000 lekësh.
“Shkodra Art Residence 2026” – Shoqata “Antik”, me buxhet të miratuar prej 300.000 lekësh.
Vetëm për këto pesë aktivitete, shuma e buxheteve të miratuara arrin në 2.200.000 lekë.
Por, krahas projekteve për të cilat janë publikuar edhe vlerat financiare, në listë figurojnë edhe tri aktivitete të tjera, për të cilat nuk është afishuar shuma e buxhetit.
Bëhet fjalë për:
“Shkodra N’fest” – fitues është shpallur LUFAPRINT sh.p.k.
“Ndërmendje” – fituese është shpallur Shoqata “Prenkë Jakova”.
“Koncert Recital” – fituese është shpallur Shoqata “Sinfoart”, me projektin e emërtuar në listë “Tukiçi i madh”.
Për këto tri projekte, lista bën të ditur emrat e fituesve, por nuk paraqet vlerën e buxhetit të miratuar. Kjo krijon një mungesë informacioni që kërkon sqarim nga institucioni, në mënyrë që publiku të ketë një pasqyrë të plotë të fondeve të akorduara për aktivitetet.
Sa para janë vënë në dispozicion për “Shkodra N’fest”? Çfarë vlere financiare ka aktiviteti “Ndërmendje”? Sa është buxheti i miratuar për koncertin recital të Shoqatës “Sinfoart”?
Këto janë pyetjet që mbeten pa përgjigje nga Ermira Teliti dhe Benet Beci në dokumentacionin e paraqitur.
Qytetarët e Shkodrës kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë e tyre. Kur bëhet fjalë për fonde publike, nuk mjafton të bëhen të ditur vetëm emrat e fituesve. Transparenca kërkon që të publikohen edhe shumat e miratuara për secilin projekt, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë se si shpërndahen paratë e taksapaguesve.
Për këtë arsye, përgjegjësia bie edhe mbi drejtuesen defacto të Bashkisë Shkodër, Ermira Teliti, e cila duhet të sigurojë që informacioni mbi fondet publike të jetë i plotë, i qartë dhe i aksesueshëm. Qytetarët duhet të kenë mundësi të njihen jo vetëm me përfituesit e financimeve, por edhe me vlerën e mbështetjes financiare që merr secili aktivitet.
Çështja ngre pikëpyetje për mënyrën se si po administrohet informacioni publik. Pavarësisht se kush drejton institucionin, detyrimi për transparencë ndaj qytetarëve mbetet i njëjtë.
Shkodra nuk mund të trajtohet thjesht si një vend pune me orar zyrtar, nga ora 08:00 deri në 16:30. Drejtimi i një institucioni publik kërkon përgjegjësi ndaj qytetit dhe banorëve të tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për menaxhimin e parave publike.
Pyetja që Bashkia Shkodër duhet të sqarojë është e thjeshtë: Pse për pesë aktivitete janë bërë publike shumat e buxhetit të miratuar, ndërsa për tri të tjera janë publikuar vetëm emrat e fituesve?
Publikimi i vlerave financiare për të gjitha projektet do t’u mundësonte qytetarëve të kishin një panoramë të plotë të fondeve të miratuara dhe të kërkonin llogari për mënyrën se si përdoren taksat e tyre. Sepse paratë publike u përkasin qytetarëve dhe transparenca për përdorimin e tyre është një detyrim i institucionit.

