Pas protestës së zhvilluar sot në Tiranë, të paktën 13 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitale dhe poliklinika të kryeqytetit, bazuar në të dhënat paraprake që ka publikuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Spitali Universitar i Traumës ka pranuar 9 persona të dëmtuar, përfshirë 7 protestues dhe 2 gazetarë. Njëri nga protestuesit ka pësuar dëmtime në sy dhe është duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore. Ministria ka bërë të ditur se “të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën”.
Pesë prej të lënduarve të paraqitur në këtë spital kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar, ndërkohë që katër protestues të tjerë po mbeten nën kujdesin e mjekëve për ekzaminime dhe trajtim të mëtejshëm.
Gjithashtu, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur një protestues dhe një punonjës policie. Të dy kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë larguar nga spitali menjëherë pas trajtimit.
Dy efektivë të tjerë të policisë, të cilët kanë pësuar lëndime në sy, kanë qenë pacientë në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 të Tiranës. Pas marrjes së trajtimit të nevojshëm, edhe ata janë larguar nga ambientet e poliklinikës.
Njoftimi i policisë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore dhe poliklinikat informon se gjatë protestës së sotme:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 9 të lënduar:
– 7 protestues. Njëri prej të cilëve i lënduar në sy, po i nënshtrohet ekzaminimeve. Jashtë rrezikut për jetën.
– 2 përfaqësues të medias.
Aktualisht, 5 të lënduar kanë lënë spitalin, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm. Ndërsa 4 protestues po vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë paraqitur:
– Një protestues
– Një efektiv policie
Të dy kanë lënë spitalin pasi kanë marrë trajtimin.
Poliklinika e Specialiteteve Nr.2, Tiranë janë paraqitur:
– 2 efektivë policie, të lënduar në sy, të cilët kanë marrë trajtim e nevojshëm.
Të lënduarit kanë lënë ambientet e poliklinikës, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm.

