Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka publikuar një tjetër deklaratë në rrjetet sociale, duke i bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të sulmeve kundër forcave të rendit. Mesazhi i saj është shoqëruar me një video ku dokumentohet momenti i hedhjes së një bombe molotov ndaj efektivëve të policisë, ku një punonjës i Policisë së Shtetit është përfshirë nga flakët gjatë kryerjes së detyrës.
Gjatë reagimit, Koçiu ka vendosur theksin te përgjegjësia e krerëve opozitarë për përshkallëzimin e situatës, duke deklaruar se “koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën ka mbaruar” dhe shtuar: “sot, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur, ka marrë përsipër autorësinë e plotë të shkatërrimit dhe e ka grisur vetë alibinë e ‘turmës së zemëruar’”.
Koçiu gjithashtu ka akuzuar Partinë Demokratike se është shndërruar prej kohësh në një forcë dhune, “në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi, media apo online”.
Zëvendëskryeministrja ka theksuar se veprime të tilla nuk i shërbejnë interesit të përgjithshëm, sepse “e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në interes të saj”. Sipas saj, organizatorët “angazhohen hapur dhe me paramendim për të destabilizuar vendin, thjesht për llogari të dëshpërimit të tyre politik”.
Duke përmbyllur reagimin, Koçiu është shprehur e bindur se qytetarët nuk do t’i japin mbështetje përpjekjeve për tensione, duke thënë se “edhe kjo llogari e mbrapshtë, si çdo llogari tjetër e tyre, e vjetër apo e re, do t’u dalë përsëri gabim”, pasi “shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën”.

