Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së, duke e akuzuar këtë të fundit për abuzim me fondet publike.
Balliu, përmes një postimi, u ndal te argumenti i Ramës lidhur me TVSH-në, duke theksuar se kryeministri kishte pohuar se nuk mund të reduktonte 150 milionë euro nga buxheti, pasi këto të ardhura konsideroheshin jetike për financat publike.
Këtë argument, deputeti demokrat e vuri në kontrast me rastin e inceneratorëve, duke theksuar se janë shpërdoruar 490 milionë euro, dhe duke akuzuar si Ramën, ashtu edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku për përdorim të fondeve publike për përfitime personale.
“E vërteta është se Rama ndjen keqardhje për paratë që dalin nga buxheti, nëse ato nuk shkojnë në xhepin e tij”, shkruan Balliu.
Në përmbyllje të qëndrimit të tij, Balliu u bëri thirrje qytetarëve për unitet kundër qeverisë Rama, duke theksuar se largimi i saj është i domosdoshëm për një ndryshim politik në vend.
