Forcat Ajrore të NATO-s, të angazhuara në misionin e Policimit Ajror të Baltikut, kanë rrëzuar një “dron të huaj” pasi ky mjet fluturues shkelu hapësirën ajrore të Letonisë, konfirmuan Forcat e Armatosura të këtij shteti.
Sipas autoriteteve në Letoni, ndërhyrja e luftës elektronike nga pala ruse çoi në futjen e dronit në territorin ajror leton, ku ai u zbulua mbi rajonin e Balvit, në pjesën lindore të vendit.
Pas ngjarjes, ushtria letonase ka shtuar prani të forcave të mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit lindor, duke intensifikuar njëkohësisht mbikëqyrjen e hapësirës ajrore.
Autoritetet paralajmëruan se, për aq kohë sa konflikti i Rusisë në Ukrainë vijon, ekziston rreziku që dronë të huaj të futen, ose të afrohen, në hapësirën ajrore të Letonisë.
Sipas raportimeve të ushtrisë, janë evidentuar kërcënime të tjera ajrore edhe në komunat Augšdaugava, Preiļi, Rēzekne, Balvi dhe Alūksne, por situata në këto zona është stabilizuar.
Ngjarja më e fundit ndodh në një kohë kur është rritur numri i incidenteve me dronë përgjatë krahut lindor të NATO-s. Shtetet e aleancës, në veçanti ato që kufizohen me Ukrainën dhe Rusinë, kanë forcuar masat e sigurisë si pasojë e rrezikut nga dronët që mund të devijojnë ose të përdoren në operacione ushtarake.
Gjatë korrikut në Rumani, avionët luftarakë kanë rrëzuar tre dronë brenda tre ditëve. Autoritetet rumune deklaruan se të paktën një prej tyre ishte dron i llojit Shahed, i përdorur nga ushtria ruse në konfliktin me Ukrainën.
Po ashtu, këtë javë zhytës ushtarakë rumunë asgjësuan dy dronë Gerbera në Detin e Zi, pranë zonës së projektit të gazit Neptun Deep. Ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruță, tha se kjo ndërhyrje u ndërmor për të siguruar sigurinë e koridorit detar dhe të punimeve në afërsi të platformës së gazit.
Rasti nuk qëndron i izoluar vetëm në Rumani. Së fundmi, edhe Bullgaria dhe Rumania kanë raportuar episode të tjera që përfshijnë dronë. Në muajin qershor, një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës, ndërsa një tjetër eksplodoi pranë një stacioni kompresor të gazsjellësit Trans-Ballkanik në Bullgari.
Këto episode janë diskutuar nga NATO me aleatët, duke shprehur “solidaritetin e plotë” me shtetet e prekura. Aleanca ka akuzuar Rusinë për shkeljet e hapësirës ajrore dhe thekson se është e përgatitur të parandalojë dhe të mbrohet ndaj çdo agresioni.
Shtimi i incidenteve me dronë po rrit ndjeshëm shqetësimin në shtetet e krahut lindor të NATO-s, ku lufta në Ukrainë ka sjellë një klimë të vazhdueshme pasigurie për hapësirën ajrore dhe infrastrukturën kritike.

