Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka adresuar publikisht hetimet ndaj Belinda Ballukut, duke analizuar akuzat për korrupsion dhe presionin e pretenduar mbi sistemin e drejtësisë nga faktorë politikë.
Kapri theksoi se akuzat ndaj Ballukut lidhen me një shumë rreth 1 miliard euro, të cilën ai e konsideroi shumë të lartë kur krahasohet me buxhetin e shtetit shqiptar.
Deputeti tha se materialet hetimore kanë nxjerrë në pah, sipas tij, fakte që dëshmojnë funksionimin e një skeme të mirëfilltë korrupsioni. Ai vlerësoi angazhimin e prokurorëve të SPAK-ut, duke nënvizuar që, pavarësisht pengesave të hasura dhe refuzimit fillestar nga ana e mazhorancës, organi i akuzës ka vijuar të mbledhë prova të tjera dhe të çojë më tej hetimin.
Gjithashtu, Kapri shprehu shqetësim për mundësinë e ndikimit te institucionet e drejtësisë, duke referuar përgjimet e zbatuara nga SHISH mbi institucionet.
Ai theksoi se rëndësia e kësaj çështjeje qëndron edhe te pozicioni politik që mban Balluku, të cilën Kapri e përshkroi si një nga figurat më të fuqishme të qeverisë dhe Partisë Socialiste.
“Numri dy i qeverisë, për shkak të akuzave që ka dhe për shkak të dëmit, ku bëhet fjalë për 1 mld euro, është sa 1/7 apo 1/8 e buxhetit. Dosjet e hetimit kanë zbuluar se kemi të bëjmë me skemë korrupsioni deri në fund. SPAK mendoj se ka vepruar në rregull. Ta sollën njëherë kërkesën…Por mazhoranca nuk ka ndryshuar. Pavarësisht presionit të madh politik SPAK gjeti prova të reja bëri gati dosjen dhe po mbyll hetimet. Presioni ndaj SPAK ka qenë i llahtarshëm. Kur i përgjon me SHISH institucionet çfarë prisni nga SPAK? E ka çuar deri në fund dosjen…”
“Një prokurori që u thotë shqiptarëve ka gjetur 1 mld euro shpërdorime, edhe çoi për gjykim për korrupsion numrin 2 të qeverisë, por zonja ka një pushtet real ka grup parlamentar. Është drejtuese aktuale e qarkut të Fierit. Është zonja që ka 5 ministra në qeveri…E dinë të gjithë që ajo lëviz gurët? Derisa lajmërojnë që mbyllin dosjen ngrenë 5 akuza , do të thotë që SPAK shkoi kaq larg”, tha Kapri.

