Policia Helenike ka shpallur një alarm në qendër të Athinës pas gjetjes së një valixheje të dyshimtë.
Mediat greke raportojnë se objekti është zbuluar në Monastiraki, një zonë shumë e populluar nga vizitorët dhe banorët e kryeqytetit.
Menjëherë pas njoftimit, forcat policore kanë mbërritur në vendngjarje, duke krijuar një rreth sigurie rreth zonës, ndërkohë që janë në pritje të zjarrfikësve dhe të njësisë speciale të çaktivizimit të mjeteve shpërthyese (TEEM), të cilët do të vlerësojnë rrezikshmërinë e valixhes.
Për shkak të këtij operacioni, autoritetet kanë vendosur ndalimin e qarkullimit të makinave. Trafiku është ndërprerë në kryqëzimin e rrugëve Athinas-Voreou, në Ermou-Agion Asomaton, si dhe Mitropoleos-Aiolou.
Këto masa sigurie dhe kufizimet në lëvizje do të qëndrojnë në fuqi deri sa TEEM të përfundojë kontrollin mbi valixhen e dyshimtë.

