Një grup ambasadorësh të akredituar në Republikën e Shqipërisë realizuan një vizitë speciale në Shkodër, Tamarë, Lepushë dhe Razëm, me qëllim që të përjetonin nga afër bukuritë unike të veriut shqiptar, peisazhin mahnitës të Alpeve, si dhe mundësitë e mëdha që këto zona ofrojnë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin malor.
Përfaqësuesit diplomatikë shfrytëzuan këtë fundjavë për të eksploruar peisazhe të jashtëzakonshme, livadhe alpine, tradita të pasura dhe mikpritjen karakteristike të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, rajone që paraqesin një kombinim të veçantë të natyrës, historisë dhe kulturës. Kjo vizitë ofroi gjithashtu mundësinë për të vlerësuar angazhimin e autoriteteve dhe komuniteteve lokale në promovimin e një modeli zhvillimi që respekton mjedisin, mban trashëgiminë kulturore dhe krijon mundësi të reja ekonomike për banorët e këtyre zonave.
Me Shqipërinë që po bëhet gjithnjë e më e njohur si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, vëmendja ndaj rajoneve malore është e veçantë. Veriu i vendit, i pasuruar me resurse natyrore dhe njerëzore, përfaqëson një shembull të shkëlqyer se si turizmi i qëndrueshëm mund të nxisë zhvillimin lokal duke krijuar një bashkëpunim harmonik mes natyrës, traditës dhe modernitetit.
Përveç bukurive të mrekullueshme, kjo vizitë shërbeu si një mundësi për të forcuar lidhjet e miqësisë dhe dialogut me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, duke ndarë me ta një pjesë të rëndësishme të identitetit dhe shpirtit shqiptar. Nga kalldrëmet dhe historia e Shkodrës, te luginat e Tamarës, livadhet e Lepushës dhe qetësia e Razmës, ambasadorët përjetuan një Shqipëri autentike, mikpritëse dhe me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen.

