Zjarri që ka përfshirë zonën pyjore në Rriban të Mallakastrës po përhapet me shpejtësi, duke përkeqësuar situatën në masivin me pisha.
Ekipet zjarrfikëse nga Patosi, Roskoveci, Mallakastra, Albpetroli dhe Berati janë mobilizuar në terren për të shuar flakët dhe për të ndaluar afrimin e zjarrit drejt banesave.
Një familje është larguar nga zona për arsye sigurie dhe në kuadër të masave parandaluese, për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve.
Era e fortë ka kontribuar në intensifikimin e zjarrit, duke vështirësuar ndërhyrjen e zjarrfikësve. Forcat në terren vijojnë përpjekjet për të marrë situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur banesat si dhe zonat e banuara pranë vatrës së zjarrit.

