AKSK paralajmëron për skemën e mashtrimit me SMS-të e gjobave të trafikut: Qytetarët të mos hapin linket e dyshimta

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka bërë një paralajmërim ndaj qytetarëve lidhur me një skemë të re mashtrimi nëpërmjet SMS-ve, ku shfrytëzohet emri i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) për t’u përfituar në mënyrë të padrejtë, duke i njoftuar përdoruesit për shkelje të supozuara të rregullave të qarkullimit apo për detyrime të pa shlyera.

Në një deklaratë publike, AKSK shpjegon se mesazhet mashtruese përmbajnë lidhje të rreme, të cilat i kërkojnë qytetarëve të japin të dhënat e tyre personale. Sipas njoftimit, këta persona vihet nën trysni për të reaguar menjëherë, duke i frikësuar me penalitete në rast se nuk veprojnë sipas udhëzimeve të mesazhit.

Autoriteti bën të ditur se, në koordinim me institucionet përgjegjëse, janë ndërmarrë hapa të nevojshëm për të trajtuar këtë ngjarje. Në të njëjtën kohë, vijon monitorimi në mënyrë të vazhdueshme për të zbuluar tentativat e tjera të ngjashme dhe për të minimizuar rrezikun që mund t’u kanoset qytetarëve.

AKSK apelon ndaj të gjithë qytetarëve që të shmangin klikimin në lidhjet e dërguara në këto mesazhe dhe të mos japin asnjë informacion privat, kode verifikimi apo të dhëna bankare.

Po ashtu, rekomandohet që çdo lajmërim lidhur me gjoba apo detyrime të pa paguara të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse, duke mos u besuar linqeve të panjohura ose të dyshimta.

Një ndër masat e këshilluara nga AKSK është edhe bllokimi i numrit dërgues si dhe raportimi i mesazhit si të padëshiruar.

“Emri apo logoja e një institucioni nuk garantojnë vërtetësinë e mesazhit”, thekson AKSK, duke vënë në dukje se lidhjet të pazakonta, urgjenca për të vepruar menjëherë dhe kërcënimet për ndëshkime janë shenja që duhet të shtojnë dyshimet për mashtrim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe