Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi rreth orës 02:22 të mëngjesit të sotëm, në rrugën dytësore Manzë-Kullë, ku tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i automjetit, 25-vjeçari Kleo Vrioni, ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përplasur me një bordurë betoni. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e automjetit, bashkëshorten e tij, 26-vjeçaren Sara Brugentelli, dhe 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri, të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
Paraprakisht, të rinjtë dyshohet se po ktheheshin nga një lokal nate në zonën e Maminasit.
Ndërkohë, dy të plagosurit, 26-vjeçari Rejsi Vrioni dhe një 16-vjeçar me inicialet K.D., janë transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit të plagosur në aksidentin tragjik në Manzë është shumë e rëndë.
I mituri ka pësuar dëmtime të shumta në gjymtyrë dhe në pjesën e qafës dhe po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, 25-vjeçari i plagosur ka marrë dëmtime, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

