Shtetasi gjerman Jan-Friedrich Krebs, 47 vjeç, ka sulmuar me thikë dy punonjës policie në Malësinë e Madhe, gjatë ndërhyrjes së efektivëve për neutralizimin e tij.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 17:30, pas një denoncimi të bërë nga një 27-vjeçar, i cili ka njoftuar Policinë se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë makinës së tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Sipas Policisë, drejtuesi i tij, shtetasi gjerman me inicialet J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes së efektivëve për ta neutralizuar, ka goditur me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme.
Të plagosurit, inspektorët S. B. dhe I. S., janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, 47-vjeçari është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

