Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur të tërhiqet nga çdo pretendim për poste politike, duke synuar të ndihmojë në zgjidhjen e situatës së bllokuar institucionale në vend.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia nuk do të kërkojë pjesë në qeveri, ministra, kryesimin e Kuvendit apo postin e presidentit.
“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, tha Abdixhiku. Ai nënvizoi se LDK-ja nuk kërkon asnjë portofol qeveritar dhe se të gjitha këto mund t’i mbeten Vetëvendosjes.
“E heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe, më e rëndësishmja, edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, deklaroi kreu i LDK-së.
Abdixhiku sqaroi se LDK-ja do të mbetet parti opozitare, por nuk ka ndërmend ta kthejë këtë pozicion në pengesë për institucionet. “Do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë”, u shpreh ai.
Ai përmbylli deklaratën duke ritheksuar gatishmërinë e LDK-së për dialog rreth zgjedhjes së një presidenti që ruan interesat e Republikës, duke shprehur synimin për të ndihmuar në tejkalimin e bllokadës politike.

