Akademia e Shkencave kujton akademikun e shquar shkodran Kolec Topalli…

Publikuar me datë:

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton akademikun dhe gjuhëtarin Kolec Topalli në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Akademik Kolec Topalli u nda nga jeta më 24 maj 2018. I lindur në Shkodër, ai kreu shkollimin fillor në vendlindje dhe në Berat, më pas në Tepelenë dhe Portopalermo.

Në vitin 1955 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër, ku nisi edhe veprimtarinë e tij si mësues në fshatrat e Kukësit dhe më pas në Lezhë.

Pa u shkëputur nga puna, përfundoi studimet për gjuhë-histori në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe më pas për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës (1964). Për arsye biografike u largua nga puna në rrethin e Lezhës dhe më pas u emërua mësues në fshatrat e Gramshit, ku shërbeu për shtatë vjet. Në vitin 1971 u transferua në fshatin Nikël të rrethit të Krujës, ku punoi deri në vitin 1991.

Gjatë kësaj periudhe, megjithëse për një kohë iu kufizua e drejta e botimit, ai vijoi punën shkencore dhe u kualifikua duke marrë gradën “kandidat i shkencave” (1987) dhe më pas “doktor i shkencave” (1992). Pas vitit 1991 u përfshi në jetën institucionale, duke shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit të Republikës për disa vite.

Në vitin 2006 u emërua këshilltar diplomatik në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, detyrë të cilën e la pas një viti për t’iu rikthyer veprimtarisë akademike. Nga viti 1994 deri në vitin 2009 ka dhënë leksione të fonetikës historike në Universitetin e Tiranës, ndërsa nga viti 1997 ka qenë pjesë e Institutit të Gjuhësisë në sektorin e historisë së gjuhës. Nga viti 2008 ka shërbyer si koordinator shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike.

Akademik Kolec Topalli është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008. Ai ka një veprimtari të gjerë shkencore me 17 vepra monografike, ku veçohen studimet në fushën e fonetikës historike të gjuhës shqipe, të përmbyllura me veprën “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007).

Kontributi i tij përfshin gjithashtu studime në gramatikën historike dhe etimologjinë e gjuhës shqipe, si dhe botimin e teksteve universitare në historinë e gjuhës. Për veprimtarinë e tij shkencore, Akademik Kolec Topalli është vlerësuar me titullin “Profesor Nderi i Studimeve Shqiptare” dhe është nderuar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kujton me respekt dhe mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në albanologji dhe gjuhësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Protesta hyn në ditën e 14-të, Berisha: Çdo shqiptar duhet ta përkrahë këtë lëvizje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim...

Bordi ndryshon çmimin e karburanteve, ja me sa do të shiten nafta dhe benzina

Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të shtunë çmimet...