Një natë pas sulmit me sende të forta në qytetin e Shkodrës, drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për qarkun Shkodër, Ramir Haderi, ka reaguar publikisht përmes një mesazhi falënderues dhe njëherësh të fortë ndaj autorëve të ngjarjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haderi ka falënderuar qytetarët për solidaritetin, mbështetjen dhe kujdesin e treguar ndaj tij dhe familjes pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes.
“Shkodra ka treguar edhe njëherë se, përtej bindjeve apo ndasive, di të bëhet bashkë kur duhet. Kjo është forca dhe fisnikëria e këtij qyteti”, shkruan ai.
Drejtori i AKU-së thekson se sulmi dhe presionet nuk do ta ndalin në ushtrimin e detyrës dhe as nuk do ta largojnë nga parimet e tij.
“As pabesia, as qyta e armëve tinzare pas shpine në mes të qytetit, as presionet e ndryshme nuk do të mund të më ndalin apo të më zbehin parimet e mia për të ecur drejt, lirshëm dhe me ndërgjegje të pastër”, shprehet Haderi në reagimin e tij.
Ai e cilëson ngjarjen si një goditje që ka lënë pasoja jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore, ndërsa shton se mbështetja e qytetarëve i ka dhënë forcë për të mos u tërhequr.
“Plagët nuk janë vetëm në trup, ato mbeten në shpirt. Por shpirti im nuk përkulet”, vijon më tej reagimi i tij.
Në përfundim të mesazhit, Haderi shpreh besim të plotë tek Policia e Shtetit dhe organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të autorëve dhe porositësve të sulmit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Fahri Ramadani” në Shkodër, ku drejtori i AKU-së u sulmua nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas burimeve paraprake, ai mori dëmtime në pjesën e kokës dhe u transportua për ndihmë mjekësore, ndërsa policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

