Dhjetë personat e arrestuar në operacionin e policisë në Juban të Shkodrës dyshohet se ishin marrë nga qytete të ndryshme të vendit për të punuar në laboratorin nëntokësor të drogës.
Mes tyre kishte persona nga Gjirokastra, Cërriku, Tirana, Poliçani, Ishull-Lezha dhe Mirdita. Sipas dyshimeve hetimore, ata ishin rekrutuar për t’u angazhuar në kultivimin dhe përpunimin e kanabisit.
Për të siguruar qëndrimin e tyre, punëtorëve u ofroheshin akomodim dhe ushqim në ambientet ku funksiononte laboratori. Ata qëndronin aty dhe kryenin detyrat që u caktoheshin.
Ndërkohë, mbetet ende për t’u sqaruar se ku strehoheshin dhe si organizohej lëvizja e tyre deri në strukturën nëntokësore.
Hetimet paraprake dyshojnë se dhjetë të arrestuarit ishin kryesisht punëtorë dhe jo organizatorët e aktivitetit kriminal. Policia po punon për identifikimin e personave që qëndrojnë pas rekrutimit të tyre dhe drejtimit të laboratorit.
Njëri prej të arrestuarve, Artur Lika, rezulton të ishte shpallur më herët në kërkim nga Policia e Shkodrës.
