Dronët godasin anijen ruse në Gjirin e Finlandës, shpërthen në flakë dhe fundoset në ujërat finlandeze

Një anije mallrash ruse që mbante furnizime për në enklavën e Kaliningradit u godit nga një sulm me dron në Gjirin e Finlandës. “Sparta II”, emri i anijes, u përshi nga flakët pas incidentit të ndodhur të shtunën, duke u detyruar të ndryshojë kurs dhe të hyjë në ujërat territoriale të Finlandës.

Autoritetet e Finlandës njoftuan se sulmi ndodhi në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, në perëndim të ishullit Suursaari. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se pas këtij sulmi qëndron Ukraina.

Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, reagoi pas ngjarjes, duke theksuar se konflikti po afrohet ngushtë me kufijtë e tyre. “Lufta po përhapet në afërsinë tonë të menjëhershme”, tha ai, duke theksuar njëkohësisht të drejtën e Ukrainës për t’u kundërpërgjigjur ndaj agresionit.

Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, bëri të ditur se nga të dhënat fillestare, në sulm janë përdorur dy dronë. Ai siguroi gjithashtu se furnizimet drejt enklavës ruse nuk janë në rrezik.

Anija “Sparta II” ndodhet nën sanksionet e SHBA-ve që nga viti 2022 dhe nën ato të Ukrainës këtë vit. Operimi i saj bëhet nga një kompani ruse, e cila sipas faqes së saj zyrtare, është krijuar në vitin 2011 nën strukturën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe që nga viti 2015 vepron në sektorin e ndërtimit ushtarak.

Pasi u raportua sulmi, autoritetet finlandeze vendosën kufizime të përkohshme në lëvizjen ajrore dhe detare në zonë. Po ashtu, Ministria finlandeze e Mbrojtjes informoi se një helikopter rus mund të ketë shkelur hapësirën ajrore të Finlandës, incident që mund të jetë lidhur me operacionet e kërkimit ose shpëtimit të anijes.

Në ndihmë të “Sparta II” iu afrua një anije ruse shpëtimi, por ekuipazhi njoftoi se evakuimi nuk ishte i domosdoshëm. Sipas guvernatorit të Kaliningradit, pjesëtarët e ekuipazhit janë duke kryer detyrat e nevojshme dhe synojnë të vazhdojnë rrugëtimin.

Roja Bregdetare e Finlandës konfirmoi se ekuipazhit nuk i është dashur të largohet nga anija, nuk është regjistruar ndotje e mjedisit dhe nuk ka asnjë rrezik për trafikun detar apo për njerëzit.

Kaliningradi mbetet një enklavë ruse përgjatë Detit Baltik, e vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe