Ekspertë, studiues, institucione publike dhe organizata mjedisore u mblodhën në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për të diskutuar mbi mbrojtjen e natyrës, sfidat me të cilat përballen ekosistemet dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre.
GreenALbania Week është përmbyllur këtë të premte në Shkodër me një forum kombëtar kushtuar pyjeve dhe biodiversitetit. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku morën pjesë ekspertë të fushës, studiues, përfaqësues të institucioneve publike, organizata mjedisore, studentë dhe aktorë vendorë.
Në fokus të diskutimeve ishte gjendja e ekosistemeve natyrore në Shqipëri, presionet që po përballojnë pyjet, si dhe sfidat që lidhen me mbrojtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e natyrës.
Forumi u zhvillua përmes dy paneleve tematike, ku u trajtuan problematikat e pyjeve, zonat e mbrojtura dhe rëndësia e përfshirjes së komuniteteve lokale në ruajtjen e pasurive natyrore.
Përmes diskutimeve u synua evidentimi i sfidave, por edhe identifikimi i mundësive për një bashkëpunim më të madh mes kërkimit shkencor, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore.
Me këtë aktivitet përmbyllës, GreenALbania Week mbylli një javë diskutimesh dhe shkëmbimi për çështjet mjedisore, duke vënë theksin te nevoja për më shumë angazhim dhe bashkëpunim në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në Shqipëri.
Nisma u mbështet financiarisht nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), nëpërmjet programit GreenAL, dhe zbatohet nga Co-PLAN në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV.
