Masakër familjare në Florida! Babai ekzekuton gruan dhe tre fëmijët e mitur, më pas vetëvritet

Një tragjedi familjare ka tronditur qytetin Plant City në Florida, SHBA, pasi pesë anëtarë të një familjeje u gjetën të vdekur pas një sulmi me armë zjarri në banesën e tyre. Autoritetet besojnë se burri vrau gruan dhe tre fëmijët e mitur, të moshës 1, 3 dhe 5 vjeç, përpara se të vriste veten.

Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten pasdite, më 19 nëntor, në rrugën Sparkman ku banonte familja. Sipas njoftimeve nga Qendra e Reagimit ndaj Emergjencave, alarmi u dha rreth orës 15:29 me një telefonatë të ardhur nga brenda shtëpisë. Sherifi i Qarkut Hillsborough, Chad Chronister, informoi se gjatë asaj telefonate u dëgjua një zë mashkullor që tha “më fal, shoku”, i ndjekur nga një zhurmë e fortë.

Më tej, sipas deklaratës së sherifit, në linjë u dëgjua edhe një fëmijë i vogël, i cili lutej që të mos qëllohej nga babai. Forcat e policisë arritën në vendngjarje në orën 15:40 dhe gjetën të pesë personat e familjes pa shenja jete, të plagosur me armë zjarri.

Sipas sherifit Chronister, familja kishte rreth një vit që banonte në atë shtëpi, pa pasur ndonjëherë ndërhyrje të mëparshme të policisë në adresën e tyre. Ai theksoi se asnjëri nga prindërit nuk ishte i njohur më parë me precedentë penalë. Nuk janë publikuar ende emrat e viktimave, ndërsa motivet e aktit mbeten të panjohura.

Duke përshkruar situatën që gjetën forcat e rendit, Chronister u shpreh se ajo ishte “asgjë më pak se një e keqe absolute”. Ai shtoi se ngjarja ka lënë pasoja të thella emocionale si te punonjësit e policisë që ndërhynë, ashtu edhe te operatori që pranoi telefonatën. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe