4 mijë banorë rrezikojnë jetën çdo ditë/ Benet Beci premtoi rikonstruksionin, por Ura e Bardhajve vijon të degradohet

Ura e Bardhajve, që lidh qytetin e Shkodrës me disa fshatra të zonës së Rrethinave, vijon të jetë në gjendje të amortizuar, duke vënë në rrezik çdo ditë mijëra banorë që e përdorin për të lëvizur.

Rreth 4 mijë qytetarë kalojnë përditë mbi këtë urë, e cila ka pësuar dëmtime në disa pjesë të saj. Por, pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm dhe apelit të përsëritur të banorëve, ndërhyrja për rikonstruksionin e saj ende nuk ka nisur.

Ironia qëndron te fakti se që në muajin qershor, Bashkia e Shkodrës, e drejtuar nga Benet Beci, njoftoi hartimin e një projekti për rikonstruksionin e plotë të urës, në bashkëpunim me Emergjencat Civile. Madje, më 24 qershor, vetë kryebashkiaku Beci publikoi lajmin për nisjen e rikonstruksionit. Por, disa muaj më pas, projekti duket se ka mbetur vetëm në letër, ndërsa ura vazhdon të degradohet.

Me afrimin e dimrit dhe shtimin e reshjeve, shqetësimi i banorëve bëhet edhe më i madh. Rritja e nivelit të lumit Kir mund të përkeqësojë situatën dhe të vërë në pikëpyetje edhe më shumë qëndrueshmërinë e urës.

Problematikat e kësaj infrastrukture janë të njohura edhe nga vetë Bashkia e Shkodrës, por deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje konkrete.

Benet Beci e njoftoi rikonstruksionin, por banorët vijojnë të kalojnë çdo ditë mbi një urë të dëmtuar, duke pritur që premtimi i qershorit të kthehet në punime konkrete.

Shqetësimi mbetet i njëjtë: a do të ndërhyjë Bashkia përpara se të ndodhë një aksident i rëndë, apo do të presë që rreziku të kthehet në tragjedi?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe