Avenir Peka, ekspert në siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare, ka komentuar mbi ngjarjen e vjedhjes së parave në postën e Durrësit.
Peka theksoi se në këtë rast konkret, përgjegjësia për grumbullimin e të ardhurave nga institucionet në Durrës i është deleguar individëve që, sipas tij, kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme dhe më pas kanë tentuar të hedhin fajin tek të tjerët.
Ai gjithashtu nënvizoi se personat e përfshirë në këtë çështje kanë pasur role dhe synime të qarta edhe gjatë fushatës zgjedhore në Durrës.
“Në makro është ajo ç’ka është më e frikshmja. Jo nuk është te shifra, në makro detyrimi i drejtuesve të institucioneve të financojnë fushatën elektorale të Partisë Socialiste. Po ta them tani, mekanizmi që Partia Socialiste ka ngritur për financimin e fushatës është që drejtuesit e institucioneve gjithsecili mbulon një zonë apo një shumë të caktuar.
Rasti konkret edhe kjo ndodh në të gjitha institucionet. Rasti konkret është që kjo detyrë i është lënë një grupi idiotësh që kanë shkuar kanë bërë këtë lloj vjedhje. Po e kanë bërë në mënyrë të trashë dhe ajo çfarë kanë bërë me sa duket është që qytetarët shko bëj pagesat për aluizmin, për kadastrën, për institucionet e tjera dhe këta nuk i çonin.
Dhe vjen një kohë kur mblidhen faturat dhe këtyre institucioneve u rezultojnë faturat e paguara po s’kanë lekët dhe kanë shkuar duke kërkuar lekët e tyre ku i kanë. Kanë kërkuar lekët s’kanë dalë lekët edhe pastaj këta kanë filluar duke akuzuar njëri-tjetrin, secili për të për të shpëtuar veten.
Nëse merr individët që janë të përfshirë në këtë pjesë, duhet të shkosh te roli i tyre që kanë pasur në zgjedhjet në Durrës dhe po ta them që tani pa përmendur emra. Nëse e shikon emrat që janë të përfshirë nëse shikon familjarët e tyre do shikosh që secili prej tyre ka pasur një kuotë të caktuar votash të kërkuara nga selia qendrore këtu dhe ato vota si mblidhen. Ne e dimë se si”, tha ai.
