Nën drejtimin e Prefektes së Qarkut Shkodër është zhvilluar mbledhja e Komitetit Rajonal për Parandalimin e Radikalizmit dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve anëtare.
Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit në komunitet, me fokus të veçantë përfshirjen e shkollave dhe familjeve në promovimin e dialogut, tolerancës dhe respektit.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte unifikimi i praktikave për identifikimin dhe referimin e rasteve të mundshme të radikalizmit, si dhe forcimi i mekanizmave institucionalë për ndjekjen e tyre.
Gjithashtu, u theksua nevoja për zhvillimin e trajnimeve praktike që synojnë identifikimin e hershëm të shenjave të radikalizmit dhe vlerësimin e rrezikut.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe koordinimin mes strukturave përgjegjëse, me qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe garantimin e një shoqërie më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
