Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, Policia e Shkodrës ka zhvilluar një takim ndërgjegjësues me nxënësit e gjimnazit “Oso Kuka”, me synim parandalimin e sjelljeve të rrezikshme dhe rritjen e sigurisë në mjediset shkollore.
Përfaqësues të Policisë, mes tyre edhe efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bashkëbiseduan me nxënësit dhe stafin pedagogjik për problematikat që shqetësojnë të rinjtë.
Gjatë diskutimit u trajtuan çështje si bullizmi, veçanërisht ai në rrjetet sociale, dhuna në shkolla, përdorimi i drogës, duhanit dhe alkoolit, si dhe rreziqet që lidhen me mbajtjen e armëve.
Nxënësit dhe mësuesit patën mundësi të ndanin shqetësimet e tyre dhe të merrnin këshilla nga përfaqësuesit e Policisë.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, takime të tilla do të vijojnë edhe në shkolla të tjera të qarkut, në funksion të ndërgjegjësimit të të rinjve dhe parandalimit të fenomeneve që cenojnë sigurinë e tyre.
