Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama se ka transformuar Shqipërinë në një narkoshtet, duke theksuar se krimi dhe droga janë shndërruar në forcat kryesore negative në vend.
Gjatë takimit “Foltorja” të PD-së që u mbajt në Berat, Berisha u shpreh se hyrja masive e narkoeurove ka ndikuar në uljen e vlerës së euros, në rritjen e kostos së jetesës, si dhe në dëmtimin e prodhimit vendas. Sipas tij, gjatë viteve të fundit eksportet shqiptare kanë rënë me 28 për qind, prodhimi industrial ka shënuar një tkurrje prej 15.3 për qind, ndërsa sektori bujqësor ka pësuar një rënie edhe më të madhe.
Berisha shfaqi gjithashtu shqetësimin e tij për ndryshimet demografike në Shqipëri, duke thënë se niveli i lindshmërisë është kthyer në atë të para 100 viteve, ndërkohë që një numër i madh shqiptarësh kanë emigruar jashtë vendit.
Sipas kreut të PD-së, Shqipëria është tani ndër vendet më të shtrenjta të rajonit, ku çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë kapin vlerën e 110 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha gjatë Foltores së Partisë Demokratike në Berat
“Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju demokratet e demokratët, qytetaret dhe qytetarët e Beratit në këtë sallë, në qytet, në qark dhe kudo që jeni sonte.”
“Shpreh nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për qytetarët, banorët e këtij qyteti, të këtij qarku, trashëgiminë e tyre të jashtëzakonshme në shekuj, në mijëravjeçarë, trashëgimi që bën krenar çdo shqiptar, por trashëgimi që bën krenar çdo njeri të civilizuar në të katër anët e globit.”
“Të dashur drejtues të degëve të PD të qarkut, të dashur deputetë, zoti kryetar i partisë, drejtues të PD, vij sot tek ju në këtë bashkëbisedim në një situatë e cila pa diskutim është kritike, por në një situatë e cila është shpresëplotë, e cila është shpresëdhënëse.”
“Sot Shqipëria ka në pushtet si asnjë vend tjetër në Evropë dhe më të paktit në botë, një narkodiktaturë autoritare.”
“Për ne që kemi njohur diktaturën komuniste, ajo është diktaturë që nuk toleronte asnjë formë pluralizmi, ndaj dhe quhet totalitare.”
“Por kjo e sotmja është autoritare, ku afërsisht njëlloj si në të parën, diktatori ka të gjitha pushtetet në një dorë.”
“Enver Hoxha kishte në duart e tij satrin e ideologjisë terroriste marksiste leniniste, Edi Rama ka sot satrin e drogës dhe krimit, të cilat janë një fuqi e të keqes.”
“E një të keqe, që në disa aspekte, kombi kurrë nuk e ka njohur.”
“Gjashtë ditë më parë bisedoja me një profesor të shquar, një nga studiuesit më të shquar në politikën evropiane, dhe i paraqita gjendjen në vend.”
“E informova se si pasojë e narkoshtetit të këtij regjimi, për shkak të zhvlerësimit të euros më të madh në botë, eksportet kanë pësuar rënien më dramatike, 28 përqind në 3-4 vite.”
“Prodhimi industrial ka pësuar rënie 15.3 përqind.”
“Prodhimi bujqësor edhe më shumë.”
“Por ai shtangu kur i thashë se sot lindshmëria si komb në Shqipëri është e njëjtë me atë që ishte 100 vite më parë.”
“E mbylli bisedën me mua duke më thënë, zoti Berisha, ky është një rrezik ekzistence.”
“Dhe në fakt nuk kemi qenë në memorien e historisë së shumë shekujve në një rrezik të tillë ekzistence siç jemi sot.”
“Statistikat tregojnë, disa thonë 47, të tjera thonë 54 përqind e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri.”
“Pra, u ndala vetëm në njërin nga aspektet, ndoshta edhe më tragjikun, më kërcënuesin për ekzistencën tonë, që është aspekti demografik, të këtij regjimi.”
“Pa ndaluar pastaj se ku u rrokullisëm ne nga një ngjitje dhe largim nga varfëria, u kthyem përsëri më të varfrit e rajonit dhe të Evropës.”
“Droga është fuqi e të keqes miqtë e mi sepse zhvlerësimin me 35 përqind të euros nga vagonat dhe kontejnerë e narkoeurove që futen në Shqipëri, zhvlerësojnë të gjitha remitencat që familjarët dërgojnë në Shqipëri.”
“Kanë zhvlerësuar kursimet në euro me 250 miliardë lekë.”
“Jo vetëm kaq. Ju duhet ta dini se Banka e Shqipërisë nga 250 milionë euro që blinte katër vite më parë, tani blen mbi 1 miliardë dhe hedh në treg me thasë kartëmonedhën.”
“Po, ajo rrit çmimet, rrit inflacionin.”
“Dhe këtu qëndron arsyeja pse çmimet në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi janë 60, 70 përqind të çmimeve mesatare të BE për ushqimet dhe gjërat bazë.”
“Po në Shqipëri sa janë? 110 përqind.”
