Vullnet Kuqi zgjodhi të investojë në Pukë, kthen shtëpinë familjare në bujtinë që pret turistë nga e gjithë bota

Ndërsa shumë të rinj zgjedhin të largohen nga Shqipëria për të kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit, Vullnet Kuqi mori një vendim ndryshe: të ndërtonte të ardhmen në vendlindje. Pas shtatë vitesh jetese në Tiranë, ai u rikthye në Pukë, ku një pjesë të shtëpisë së familjes e shndërroi në një bujtinë që sot pret turistë nga vende të ndryshme të botës.

“N’Konak” është emri i sipërmarrjes që lindi nga dëshira për të shfrytëzuar potencialin e zonës dhe për të krijuar një mundësi të re pikërisht aty ku Vullneti kishte kaluar fëmijërinë.

Rrugëtimi i tij në turizëm nisi përpara hapjes së bujtinës. Fillimisht punoi si guidë turistike, duke shoqëruar vizitorët nëpër Pukë. Kontakti me turistët dhe njohja nga afër me bukuritë e zonës e bindën se vendlindja kishte potencial të pashfrytëzuar dhe se ky sektor mund të ofronte mundësi konkrete zhvillimi.

“Fillimi nuk ka qenë direkt me bujtinën. Kam nisur duke shoqëruar turistët dhe nga eksperienca me ta më lindi ideja që të shfrytëzonim atë që kishim, duke kthyer një pjesë të banesës familjare në bujtinë”, rrëfen ai.

Pavarësisht se viti 2020 shënoi një periudhë të vështirë për turizmin për shkak të pandemisë, Vullneti dhe familja e tij vendosën të mos e shtynin më tej projektin. Kështu, “N’Konak” hapi dyert për vizitorët, duke hedhur hapat e parë të një biznesi familjar.

Aktualisht, bujtina disponon pesë dhoma, ofron akomodim dhe mëngjes, ndërsa mund të presë deri në 15 persona. Planet nuk ndalen këtu: familja po punon edhe për hapjen e një restoranti, që do të plotësojë shërbimet dhe do t’u japë vizitorëve mundësinë të shijojnë më shumë nga tradita dhe mikpritja e zonës.

Zgjedhja për t’u kthyer në Pukë nuk ishte domosdoshmërisht më e lehta. Vullneti e pranon se emigrimi mbetet një alternativë që shumë të rinj e shohin si zgjidhje, por për të, lidhja me vendlindjen dhe dëshira për të ndërtuar diçka në vendin e tij peshuan më shumë.

“Shumë nga shokët dhe miqtë e mi kanë emigruar dhe janë përballur me vështirësi. Unë zgjodha një rrugë pak më ndryshe, sepse ky është vendi ynë, vendi për të cilin kanë punuar prindërit tanë. Këtu i kemi rrënjët dhe themelet e familjes dhe nuk duhet t’i humbasim”, shprehet Kuqi.

Pas kësaj sipërmarrjeje qëndron një angazhim i përbashkët familjar. Prindërit dhe bashkëshortja e tij janë pjesë e punës së përditshme në bujtinë. Edhe pse në fillim ideja për të kthyer shtëpinë në një vend pritjeje për të panjohur ishte e pazakontë për prindërit, me kalimin e kohës mikpritja u bë një pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre.

Përtej të ardhurave dhe zhvillimit të biznesit, Vullneti thotë se kënaqësinë më të madhe e gjen te takimet me njerëz nga vende të ndryshme, te mundësia për t’i bërë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe për t’u prezantuar bukuritë e Pukës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe