Reforma territoriale, opozita braktis Komisionin/ Mazniku thirrje për bashkëpunim: Dera mbetet e hapur

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka nisur zyrtarisht punën për fazën e dytë të procesit, por këtë herë pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila ka paralajmëruar bojkotimin e tij.

Komisioni u konstituua këtë të hënë, ndërsa drejtimi i është besuar sërish deputetit socialist Arbjan Mazniku. Gjatë mbledhjes së parë, ai bëri të ditur se mazhoranca synon që puna për reformën të zhvillohet përmes një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës, duke i lënë të hapur mundësinë opozitës për t’u bërë pjesë e diskutimeve.

Mazniku u bëri thirrje demokratëve që të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre dhe t’i depozitojnë emrat në Kuvend, me qëllim përfshirjen në punimet e komisionit.

Ai theksoi se faza e dytë është e rëndësishme për përmbylljen e reformës, pasi puna e kryer deri më tani nuk mund të konsiderohet e plotë pa trajtimin e elementeve të tjera që lidhen me organizimin administrativo-territorial të vendit.

“Ftoj opozitën të prezantojë në seancë anëtarët e saj. Kjo është një ftesë e hapur për frymën se si ky komision synon të vijojë punën, në mënyrë të hapur e gjithëpërfshirëse. Kjo detyrë e komisionit është kritike, pasi i jep thelb dhe përmbajtje punës që bëmë në fazën e parë, pasi reforma do të quhej e paplotë pa u plotësuar me elementët e tjerë”, u shpreh Mazniku.

Në përbërjen e komisionit, nga radhët e Partisë Socialiste, janë Blendi Klosi, Briseida Çakërri, Besa Spaho, Ermal Pacaj, Onid Bejleri, Aulona Bylykbashi, Klevis Jahaj dhe Ermal Elezi.

Reforma Administrativo-Territoriale synon riorganizimin e pushtetit vendor dhe rishikimin e ndarjes administrative të Shqipërisë. Nisja e fazës së dytë vjen në një kohë kur mbetet e paqartë nëse opozita do të ndryshojë qëndrim dhe do të bëhet pjesë e diskutimeve për një proces që mazhoranca thotë se kërkon ta zhvillojë me përfshirjen e të gjitha palëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe