Një shpërthim i fuqishëm në një pallat pesëkatësh në Elbasan rezultoi fatal për një person, ndërsa një tjetër vijon të jetë i zhdukur. Të paktën tetë persona, përfshirë fëmijë, po trajtohen në spital për shkak të plagëve të marra.
Drejtori i Policisë së Elbasanit, Kastriot Skënderaj, përshkroi situatën në terren, duke theksuar se goditja ka shkaktuar dëmtime të mëdha në konstruksionin e ndërtesës. Skënderaj shpjegoi se kati i katërt është shembur mbi të tretin, ndërkohë që zjarri, i cili fillimisht nisi në katin e tretë, është përhapur më pas në pjesë të tjera të godinës.
Ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e flakëve, ndërsa përpjekjet u përqendruan edhe në kërkimin e personave që mund të ishin nën rrënoja.
Zyrtarë të zjarrfikëses bënë të ditur se trupi i pajetë u gjet në katin e pestë të ndërtesës, teksa ende kërkohet një i moshuar që rezulton i humbur.
“Bëhet fjalë për një pallat pesëkatësh. Ka dëmtime të strukturës së pallatit. U shemb kati i katërt, i cili ra mbi katin e tretë. Morëm masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, që fillimisht ishte në katin e tretë dhe më pas u përhap në katet e tjera. Viktima u gjet në katin e pestë, ndërsa një i moshuar ende nuk është gjetur”, kanë bërë të ditur shërbimet zjarrfikëse.
