Lezha ka marrë pjesë në panairin ndërkombëtar të turizmit “World Travel Market London 2026”, që po zhvillohet në Londër, me synimin për të promovuar pasuritë turistike të zonës dhe për të tërhequr më shumë vëmendje nga tregjet e huaja.
Nën drejtimin e drejtorit të Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanaj, përfaqësuesit e bashkisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, prezantojnë ofertën turistike të Lezhës në një prej aktiviteteve më të rëndësishme të industrisë globale të turizmit.
Në fokus të prezantimit janë vlerat historike, natyrore dhe kulturore, si dhe potenciali bregdetar i zonës. Lezha synon të promovojë një ofertë të larmishme turistike, ku ndërthuren trashëgimia historike, peizazhet natyrore dhe plazhet përgjatë Adriatikut.
Pjesëmarrja në këtë panair shihet si një mundësi për të rritur prezencën e Lezhës në tregjet ndërkombëtare, për të krijuar partneritete të reja dhe për të vendosur kontakte me operatorë turistikë nga vende të ndryshme.
Përmes këtij prezantimi, Bashkia Lezhë synon ta pozicionojë më tej qytetin si një destinacion me potencial të rëndësishëm turistik në Shqipëri dhe rajon.
