Përmes analizave të ADN-së, janë identifikuar trupat e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se të dhënat e reja nga analizat e ADN-së kanë vërtetuar identitetin e Adem Fazli Ademit, Fatmir Bajram Fazliut dhe Ali Islam Halitit, të cilët ishin anëtarë të Grupit të Intelektualëve.
Mbetjet e këtyre personave ishin zhvarrosur në lokalitetet e Kalludrës dhe Jabukës. Pas analizave të kryera, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka informuar familjet e viktimave për rezultatet e identifikimit.
Kryeministri Kurti njoftoi se tre intelektualët ishin rrëmbyer në prill të vitit 1999 nga forcat e armatosura serbe dhe ishin zhdukur me dhunë.
Duke iu drejtuar familjarëve, Kurti shprehu ngushëllimet e tij dhe theksoi se sqarimi i fatit të të zhdukurve dhe sigurimi i drejtësisë për krimet e luftës mbeten në qendër të përkushtimit të qeverisë.
Ai shtoi gjithashtu se Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës dhe të mos zbulojë dokumentet apo arkivat që mund të ndihmojnë në ndriçimin e çështjes së personave të zhdukur.
