Shtatë avionë pasagjerësh që lëviznin mes vendeve të ndryshme të Europës janë përfshirë në një valë alarmesh për bomba, çka ka sjellë ndërmarrjen e masave të rrepta sigurie në disa aeroporte. Dy prej këtyre avionëve u nisën nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një skemë të koordinuar që synon destabilizimin e trafikut ajror.
Dy fluturime të Ryanair, që u nisën nga Dublini dhe Lisbona, mbërritën në aeroportin Fiumicino të Romës, ku u zbarkuan dhe iu nënshtruan kontrollit pasi autoritetet morën njoftime anonime për prezencë të mundshme të bombave. Fluturimi nga Dublini u shoqërua gjatë gjithë rrugës nga avionë të Forcave Ajrore të Italisë. Pas ekzaminimeve të detajuara të realizuara nga policia dhe njësitë antieksploziv, nuk u konstatuan materiale të rrezikshme.
Situata të ngjashme u shënuan edhe në Spanjë, Poloni dhe Bullgari. Në Spanjë, një avion i Ryanair që udhëtonte nga Mançesteri për në Murcia u evakuua për shkak të një sinjalizimi për bombë. Sipas autoriteteve spanjolle, pas kontrolleve rezultoi se brenda avionit nuk kishte asnjë lëndë eksplozive.
Një pasagjere tregoi për BBC se “udhëtarët nuk ishin njoftuar gjatë fluturimit për kërcënimin”. Ajo përshkroi se avioni ndaloi menjëherë në pistë dhe brenda gjysmë ore në vendngjarje mbërritën forcat e emergjencës, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe skuadrat e specializuara për çaktivizimin e bombave. Pasagjerët u evakuuan dhe u shoqëruan nga autoritetet, ndërsa valixhet e tyre mbetën në bord.
Gjithashtu, dy avionë të tjerë me destinacion Varshavën u përballën me kërcënime të njëjta, mes tyre një fluturim që ishte nisur nga aeroporti Heathrou i Londrës, i cili u devijua për në aeroportin Modlin. Gjatë zbatimit të procedurave të sigurisë, ky aeroport i vogël u mbyll përkohësisht.
Ndërkohë në Bullgari, ministri i Transportit Georgi Peev njoftoi se dy fluturime me destinacion Sofjen – njëri me nisje nga Bergamo dhe tjetri nga Dublini – ishin objekt i kërcënimeve të ngjashme. Të dyja avionët e vazhduan rrugën sipas planit dhe pas uljes, kontrollet nuk zbuluan material të rrezikshëm.
“Autoritetet britanike i cilësuan incidentet si kërcënime dashakeqe dhe alarm të rremë, ndërsa theksuan se sistemet e sigurisë ajrore kanë procedura të posaçme për trajtimin e rasteve të tilla.”
Ekspertët e sigurisë në fushën e aviacionit theksojnë se ndonëse alarmet për bomba janë të rralla, shfaqja e tyre në disa shtete dhe kompani të ndryshme brenda pak kohësh i bën këto episode të pazakonta. Deri tani, autoritetet nuk kanë identifikuar lidhje mes incidenteve apo ndonjë organizim të mirëfilltë, ndërsa hetimet mbeten aktive.
Kjo seri incidentesh ndodh vetëm një ditë pas një rasti tjetër të ngjashëm, ku një avion britanik me destinacion Budapestin u detyrua të bëjë ulje emergjente në kryeqytetin hungarez, nën shoqërimin e një avioni ushtarak, pas një alarmi për bombë. Edhe në atë rast, pas inspektimeve, nuk u gjetën lëndë eksplozive.
