Zjarri që përfshiu një lokal në katin e 11-të të një pallati në Shkodër ka rikthyer vëmendjen te siguria kundër zjarrit në ndërtesat e larta. Për këtë situatë ka reaguar edhe zjarrfikësi belg Jens Vande Walle, i cili paralajmëron për mungesën e infrastrukturës së nevojshme për ndërhyrjen në raste emergjence.
Vande Walle, drejtues i grupit zjarrfikës në Gent të Belgjikës, prej vitesh kontribuon në mbështetjen e repartit zjarrfikës të Shkodrës përmes shoqatës “Vuur&Vlam Albania”, duke siguruar automjete, pajisje dhe materiale për shërbimin.
Në reagimin e tij pas zjarrit të fundit, ai thekson se pothuajse asnjë prej ndërtesave të reja në qytet nuk disponon tubacione vertikale të ujit, të cilat mundësojnë lidhjen e zorrëve të zjarrfikësve dhe ndërhyrjen në katet e larta.
Zjarrfikësi belg kritikon edhe mënyrën se si përcaktohen prioritetet e investimeve në qytet, duke argumentuar se siguria e jetës së qytetarëve duhet të jetë në plan të parë.
“Kam paralajmëruar mjaftueshëm njerëzit përreth meje se, nëse ndodh ndonjë tragjedi e madhe, atëherë do të jetë tepër vonë. Pothuajse çdo ndërtesë e re nuk ka tubacione vertikale të ujit për lidhjen e zorrëve të ujit të zjarrfikësve. Kjo është ajo që ndodh kur investohet në pista për biçikleta në vend që të investohet në sigurinë e qytetarëve. Unë mund të dhuroj shumë materiale, por fatkeqësisht nuk mund të dhuroj gjithçka!”, shkruan Jens Vande Walle.
Ai vjen çdo vit në Shqipëri, ku kalon pushimet në Velipojë, por gjatë qëndrimit angazhohet edhe si vullnetar pranë repartit zjarrfikës të Shkodrës.
Paralajmërimi i tij rikthen në vëmendje një çështje thelbësore: a janë pallatet e larta në Shkodër të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për të garantuar ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe mbrojtjen e jetës së banorëve në rast zjarri?
