Të paktën 24 njerëz humbën jetën pasi avionët rusë goditën një qendër shpërndarjeje ndihmash, në atë që udhëheqësi i Ukrainës e përshkroi si “absolutisht të tmerrshëm”.
Nëntë bomba ajrore, secila me peshë 3,000 kg, u lëshuan në fshatin Komyshuvakha në rajonin jugor të Zaporizhzhias, tha kreu i rajonit, Mykhailo Semikin. Si pasojë, pesë persona u plagosën, ndërsa 27 të tjerë u raportuan fillimisht të zhdukur.
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, sulmi i parë shënjestroi shkollën lokale, e cila shërbente për nevoja humanitare. Menjëherë pas kësaj, një valë e dytë goditi zonën ku banorët ishin strehuar për t’u mbrojtur.
Zelensky shpërndau një video ku shfaqet një krater i madh i krijuar nga shpërthimi ditën e hënë, ndërkohë që ekipet e shpëtimit punojnë midis rrënojave.
Fillimisht, presidenti raportoi 18 viktima, por shërbimi shtetëror i emergjencave, DSNS, më vonë konfirmoi se numri i të vdekurve kishte shkuar në 24, përfshirë dy punonjës shpëtimi dhe katër oficerë policie.
“Rusët nuk mund të mos e dinin se banorët vendas që mbetën në Komyshuvakha merrnin ndihmë humanitare atje çdo javë”, shkroi presidenti ukrainas në një postim në rrjetet sociale.
“Kjo është një tjetër provë se Rusia nuk dëshiron asnjë ulje të tensioneve”, shtoi ai.
Zelensky u shpreh se pas një operacioni të përbashkët ruso-ukrainas që evakuoi civilët nga qyteti i Oleshky-t, i cili është nën kontrollin e Rusisë, “pati një moment kur hapat e ardhshëm mund të tregonin se paqja është e mundur”.
“Me vrasje të tilla, Rusia po dërgon sinjalin krejt të kundërt, Rusia po mbështetet në vrasje të mëtejshme”, tha Zelensky.
Semikin e quajti këtë sulm “tragjedi të tmerrshme” për fshatin dhe konfirmoi se “njerëzit janë ende nën rrënoja”.
Sipas tij, ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë mes rrënojave, por ndonjëherë janë detyruar të ndërpresin operacionin për shkak të sulmeve të dronëve rusë në zonë.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia nisi në shkurt të vitit 2022, nën urdhrat e presidentit rus Vladimir Putin.
