Ish-Presidenti Bamir Topi ka komentuar së fundmi protestat kundër qeverisë dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj kërkesave të qytetarëve për dorëheqje.
Përdorur një analogji nga bota e futbollit, Topi vuri në dukje se protestuesit paqësorë i kanë dhënë Ramës për 137 ditë “kartonin e verdhë”, ndërsa indiferenca e kryeministrit e ka çuar tashmë situatën që qytetarët t’i tregojnë “kartonin e kuq”.
Topi theksoi se Rama nuk mund të kërkojë më dialog me protestuesit, pasi për muaj të tërë, sipas tij, ai ka neglizhuar zërin e tyre.
“Për 137 ditë protestuesit paqësorë i treguan kryeministrit, si në futboll, kartonin e verdhë. Ai jo vetëm që nuk reflektoi këtu, por shton fajin e tij dhe dalin njerëzit dhe tani i tregojnë kartonin e kuq. Kur ti merr kartonin e kuq, nuk ke të drejtë të komunikosh me arbitrin, që në këtë vend janë njerëzit”, deklaroi Topi.
Gjatë fjalës së tij, ish-Presidenti u ndal edhe te mënyra se si Rama ushtron pushtetin, duke argumentuar se sjellja aktuale e kryeministrit nuk është rastësore. Sipas Topit, kjo lidhet me mënyrën e të menduarit dhe stilin e drejtimit që ai ka shfaqur prej kohësh.
“Unë kam mjaftueshëm njohuri për të përcaktuar arsyet pse sillet ai në këtë mënyrë. Unë kam një kundërpyetje: Sjelljen e tij e shohim sot? Në fiziologji thuhet se struktura përcakton funksionin dhe funksionet përcaktohen nga struktura. Dhe kjo strukturë e të menduarit, që e njohim prej kohësh, nuk ka si të mos ekspozohet sot, kur ai ka të gjitha pushtetet”, u shpreh Topi.
Topi ngriti gjithashtu shqetësimin për rolin e figurave intelektuale në jetën publike dhe sistemin politik shqiptar, duke theksuar se këta individë janë përjashtuar nga garat politike. Kjo, sipas tij, ka krijuar një boshllëk që është zëvendësuar nga individë pa përgatitje të duhur.
Sipas ish-Presidentit, personalitete elitare që kanë provuar të konkurrojnë me liderët politikë, janë eliminuar nga skena politike dhe tashmë nuk përfillen. Ai shtoi se këta individë ishin intelektualë, shkrimtarë, autorë librash dhe shkencëtarë, por tani janë jashtë sistemit.
“Cilido emër që ka qenë emër elitar, që tentoi të konkurrojë me dy bajlozët, jo vetëm është masakruar në zgjedhje, por ka dalë jashtë orbite, nuk e llogarit njeri. Këta njerëz ishin intelektualë, të kulturuar, shkrimtarë, autorë librash, shkencëtarë. Këta i ke jashtë”, deklaroi ish-Presidenti.
Ai kritikoi gjithashtu kryetarët e partive politike, duke i cilësuar përgjegjës për krijimin e një vakumi në përfaqësim dhe për përjashtimin e njerëzve të kualifikuar nga procesi i hartimit të ligjeve.
“Dhe më thoni, a ka gjë që bëhet pa koshiencë këtu, kur ky vakum, për shkak të liderëve të partive, mbushet me njerëz mediokër dhe ikën pjesa intelektuale që mund të ketë aftësi për të realizuar ligje?”, tha Bamir Topi.
Deklarata e plotë:
Për 137 ditë protestuesit paqësorë i treguan karton të verdhë kryeministrit për këtë dhe këtë… Ai jo vetëm nuk reflekton, por shtoi fajin dhe i nxorën kartonin e kuq. Tani kur arbitri të nxjerr kartonin e kuq ti nuk ke të drejtë të komunikosh me arbitrin. Dhe arbitri në këtë rast janë njerëzit. Unë kam mjaftueshëm njohuri për të përcaktuar arsyet pse sillet ai në këtë mënyrë. Sjelljen e tij e sheh sot ti? Në fiziologji thuhet se struktura përcakton funksionin dhe funksionet përcaktohen nga struktura. Kjo lloj strukture e të menduarit që ne e njohim prej kohësh nuk ka si të mos ekspozohet sot që ai ka të gjitha pushtetet. Unë s’dua të përmend emra këtu, që tentoi të konkurrojë me 2 bajlozë, jo vetëm i masakruan në zgjedhje, por kanë dalë jashtë orbite, nuk i llogarit njeri. Ishin intelektualë, shkrimtarë librash, shkencëtarë, këto i ke jashtë. Dhe më thoni ju që a ka gjë që bëhet pa koshiencë këtu, ku ky vakuum për shkak të listës së kryetarëve të partive mbushet me mediokër dhe ikën pjesa intelektuale që mund të ketë aftësi për të realizuar ligje.

