Përplasjet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së, 6 prej tyre rrezikojnë pezullimin për 60 ditë

Publikuar me datë:

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës, pas situatave të tensionuara dhe përplasjeve që ndodhën gjatë seancës plenare më 22 tetor në Kuvend.

Socialistët propozojnë përjashtimin për 60 ditë nga komisionet dhe seancat plenare të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, mes të cilëve Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Fidel Kreka. Për 14 deputetë të tjerë të opozitës, kërkohet pezullim nga veprimtaria parlamentare për një periudhë 10-ditore.

Kjo kërkesë është depozituar pranë Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, dhe i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Dokumenti mbështetet në nenet 63 dhe 65/1 të Rregullores së Kuvendit si dhe në nenin 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Sipas dokumentit, socialistët akuzojnë deputetët e opozitës për pengim të rrjedhshëm të seancës, bllokim të foltores, dëmtim të pajisjeve elektronike dhe sulme fizike ndaj deputetëve të mazhorancës.

Referuar pretendimeve të PS-së, incidentet nisën që në hapje të seancës, kur dyshohet se Flamur Noka ka shkatërruar mikrofonin e foltores dhe ka përdorur “fjalë fyese” ndaj kryetarit të Kuvendit.

Gjatë momentit të votimit të kalendarit dhe programit të punës, Belind Këlliçi ka kundërshtuar procedurën në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Socialistët pretendojnë gjithashtu se Këlliçi ka goditur foltoren, ndërsa Noka ka ndërhyrë fizikisht duke iu marrë kartat e votimit disa deputetëve të mazhorancës dhe dëmtuar pajisjet elektronike.

Në kërkesën zyrtare përmenden edhe deputetët Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka dhe Luçiano Boçi, të cilët, sipas socialistëve, kanë hedhur shishe me ujë dhe kanë përdorur “fyerje” gjatë votimit ndaj kolegëve të Partisë Socialiste.

Dokumenti shënon se jonë të paktën pesë deputetë socialistë — Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj dhe Bujar Rexha — janë sulmuar dhe fyer gjatë incidenteve të ndodhura në Kuvend.

Si rezultat, Grupi Parlamentar i PS-së kërkon që Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi të përjashtohen për 60 ditë nga të gjitha aktivitetet e Kuvendit.

Për 13 deputetë të tjerë të opozitës është kërkuar pezullim për 10 ditë. Lista përfshin Gjin Gjonin, Bardh Spahinë, Albana Vokshin, Elda Hotin, Xhelal Mziun, Gent Strazimirin, Enno Bozdon, Kastriot Pirolin, Kliti Hotin, Flamur Hoxhën, Arjan Ndojën, Ivi Kason, Zija Ismailin dhe Blendi Himçin.

Sipas pretendimeve të PS-së, këta deputetë kanë kontribuar në bllokimin e foltores, duke penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

Kjo kërkesë, e nënshkruar nga 14 deputetë të Partisë Socialiste, do të shqyrtohet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, i cili pritet të marrë vendimin lidhur me masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related