Athina është tronditur nga një shpërthim me eksploziv që ka lënë katër persona të plagosur të mërkurën, në rrugën Platonos, në lagjen Kolonos të kryeqytetit grek.
Ngjarja nisi kur administratori i një pallati telefonoi policinë duke informuar se pranë hyrjes së ndërtesës ishte lënë një çantë ku, sipas tij, ndodheshin lëndë narkotike. Ai kërkoi ndërhyrjen e forcave të rendit për të sekuestruar mjetin e dyshuar.
Dy oficerë të policisë mbërritën në vendngjarje dhe, pasi hapën çantën, sipas dëshmisë paraprake të njërit prej tyre, gjetën brenda saj substanca të ngjashme me drogë, një peshore dhe disa pilula.
Në rrethana që mbeten ende të paqarta, një pajisje e improvizuar shpërthyese që mendohet të ketë qenë fshehur në çantë, shpërtheu papritur duke lënë të plagosur dy policët dhe dy persona të tjerë.
Menaxheri i pallatit, i cili kishte bërë telefonatën anonime në polici, ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin kur mbërritën forcat e rendit dhe është mes të plagosurve. Kjo telefonatë specifike çoi Policinë greke drejt një kurthi të mirëorganizuar. Hetuesit po shqyrtojnë seriozisht të gjitha pistat, përfshirë dyshimin për një akt terrorist.
Të katër të plagosurit u transportuan në spital për trajtim, ndërsa një prej efektivëve të policisë ka marrë dëmtime më të rënda.
Sipas informacioneve, shpërthimi është aktivizuar përmes një telekomande. Në vendin ku ndodhi ngjarja u gjetën një detonator elektrik, bateri si dhe një sasi eksplozivi me fuqi të ulët.
Po ashtu, gjatë kontrollit në terren, policia konstatoi praninë e pakove me lëndë narkotike brenda çantës dhe një peshore precize, përveç pajisjes shpërthyese. Hetimet nga Policia greke janë ende në vijim.

