Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka shprehur shqetësim lidhur me incidentet e përsëritura të dhunës ndaj gazetarëve dhe ndalimet e tyre gjatë raportimit të protestave kundër qeverisë në Shqipëri.
Në deklaratën e tij, ai vuri theksin tek rëndësia që kanë liria e medias dhe e drejta e publikut për t’u informuar, duke i cilësuar këto si themel për çdo shoqëri demokratike. OSBE ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të hetojnë shpejt dhe në mënyrë të efektshme të gjitha rastet e raportuara, duke përfshirë edhe rastet ku aludohet për përdorim të tepruar ose të pabarabartë të forcës nga ana e policisë.
Organizata thekson se është kyçe të sigurohet mbrojtja e gazetarëve, në mënyrë që ata të mund të kryejnë punën e tyre pa frikë dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara gjatë mbulimit të tubimeve publike.
Për të minimizuar rrezikun e situatave të ngjashme në të ardhmen, OSBE inkurajon zbatimin e plotë të udhëzimeve ekzistuese të Policisë së Shtetit që lidhen me sigurinë e punonjësve të medias.
Gazetarët kanë qenë të pranishëm dhe po përcjellin në kohë reale zhvillimet e protestave që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë këtyre tubimeve janë regjistruar disa ngjarje të rënda, përfshirë raportimet për akte dhune ndaj punonjësve të medias.
OSBE – Përfaqësuesi për Lirinë e Medias
“Raportimet e vazhdueshme për dhunë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe për pengimin e tyre gjatë raportimit të protestave që po zhvillohen në Shqipëri, janë shqetësuese.”
“Liria e medias dhe e drejta e publikut për informim janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. Garantimi i sigurisë së gazetarëve është i domosdoshëm për mbrojtjen e këtyre parimeve, edhe gjatë demonstratave publike, ku gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht, në mënyrë të sigurt dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara.”
“Këto parime pasqyrohen në Vendimin nr. 3/18 të Këshillit të Ministrave të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve, i cili riafirmon angazhimet e shteteve pjesëmarrëse për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e llogaridhënies për sulmet ndaj tyre.”
“U bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me shpejtësi dhe efektivitet të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.”
“Po aq e rëndësishme është parandalimi i incidenteve të tjera. Për këtë qëllim, inkurajoj autoritetet ligjzbatuese që të zbatojnë plotësisht udhëzimet ekzistuese të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, duke garantuar që punonjësit e policisë të lehtësojnë raportimin e sigurt dhe pa pengesa gjatë tubimeve publike.”

