Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar Shqipërinë për sukseset e saj, ndërsa sot përmbyllen negociatat për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Gjatë një konference të përbashkët në Luksemburg me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin irlandez të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, Kos deklaroi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian përbën një projekt kombëtar.
Ajo gjithashtu theksoi se vendi mund të arrijë anëtarësimin në BE përpara vitit 2030.
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë. Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje. Shqipëria i ka vënë ambicie për të mbyllur reformat deri në fund të 2027, ne e mbështesim këtë ambicie, por reformat duhet të vijojnë”, theksoi ajo

