Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Jorida Tabaku, ka shprehur kritika të ashpra në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me mënyrën e menaxhimit të protestave studentore në Shqipëri.
Tabaku theksoi se ka kërkuar që ministri i Brendshëm të raportojë në komision lidhur me rastet e dhunës së raportuar ndaj protestuesve, ndalimet e të miturve dhe incidentet që kanë përfshirë gazetarët.
Ajo bëri të ditur se, sipas të dhënave që zotëron, gjatë këtyre protestave janë ndaluar apo arrestuar rreth 1 mijë qytetarë, mes tyre 250 të mitur, ndërsa 47 gazetarë kanë qenë subjekt dhune, kërcënimesh dhe intimidimesh në 43 raste, të cilat ajo i lidh drejtpërdrejt me policinë.
“Parlamenti nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ne nuk ekzistojmë në parlament vetëm për të miratuar ligje rutinë. Situata me median është ajo që është. 47 gazetarë janë dhunuar, intimiduar dhe kërcënuar gjatë protestave, në 43 raste nga policia. News24 ka qenë një nga televizionet që ka qëndruar në shesh 12 deri në 14 orë në ditë dhe vetëm pse ka transmetuar zërin e protestës është kërcënuar”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e opozitës tha gjithashtu se ka kryer vizita në komisariate, ambiente paraburgimi dhe spitale për të verifikuar trajtimin e të arrestuarve e të ndaluarve gjatë protestave.
“Kam parë të mitur të arrestuar, kam parë dhunën dhe tërheqjet zvarrë. Janë pothuajse 1 mijë të shoqëruar dhe të arrestuar deri më sot, 250 prej tyre janë të mitur. Kam takuar prindër që për dy apo tre ditë nuk e kanë ditur ku ndodheshin fëmijët e tyre. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, deklaroi ajo.
Siç shtoi Tabaku, të gjitha vëzhgimet dhe gjetjet e saj u janë përcjellë organizatave ndërkombëtare, ndërsa ka mbajtur kontakte edhe me organizatën Reporterët pa Kufij lidhur me situatën e medias gjatë protestave.
Duke iu referuar paketës së re të masave për tubimet, Tabaku u shpreh se këto përpjekje synojnë të krijojnë frikë te qytetarët dhe të ngushtojnë të drejtën kushtetuese të protestës.
“Në mëngjes kërkojnë dialog, pasdite i rrahin dhe në darkë sjellin ndryshimet e paketës për tubimet. Këto masa shtrënguese cenojnë të drejtat themelore të njohura në Kushtetutë. Sapo të vijnë në parlament, do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese”, paralajmëroi ajo.
Në një tjetër vijë kritike, Tabaku vuri në dukje se procesi i integrimit europian nuk po sjell pritshmëritë që kanë qytetarët shqiptarë.
“Sot zhvillimin e Shqipërisë e pengon pikërisht Edi Rama. Ata njerëz në rrugë janë për dorëheqjen e tij, sepse lufta ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar dhe zbatimi i parimeve europiane janë shumë larg realitetit. Këtu po shkojmë drejt një autokracie. Ka përqendrim pushteti, sulmohet media, nuk lejohet tubimi dhe cenohen të drejtat e njeriut”, tha Tabaku.
Deputetja hodhi gjithashtu vërejtje mbi funksionimin e parlamentit aktual, duke pohuar se ky institucion nuk i përgjigjet më kërkesave të qytetarëve si dhe sistemi elektoral aktual pengon përfaqësimin e drejtë.
“Ka një kërkesë të shoqërisë për ndryshime në politikë dhe në sistemin politik. Parlamenti sot nuk reflekton atë që qytetarët kërkojnë. Studentët janë në protestë edhe për ndryshimin e sistemit politik dhe të përfaqësimit”, u shpreh deputetja.
E pyetur për zhvillimet në Serbi dhe rotacionin politik pas protestave studentore, Tabaku deklaroi se shembulli atje tregon se në Shqipëri është e domosdoshme bashkimi dhe reflektimi politik.
“Ne duhet patjetër të bashkohemi. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër me sistemin aktual dhe dinamikën aktuale. Edhe për Partinë Demokratike është një mesazh reflektimi për ofertën tonë politike, për alternativën që duhet të japim dhe për të qenë pranë zërit të atyre që sot protestojnë”, deklaroi ajo.
Tabaku në përmbyllje theksoi se do të vazhdojë të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet, duke nënvizuar se ministri i Brendshëm duhet patjetër të raportojë në Kuvend lidhur me ngjarjet e dy javëve të fundit.
“Ai e ka për detyrë të vijë të raportojë, ashtu siç kanë për detyrë të dëgjojnë zërin e qytetarëve që sot kërkojnë një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Deri në ditën e fundit do të jem aty, bashkë me kolegët e mi, për të bërë detyrën tonë si përfaqësues të zgjedhur”, përfundoi Tabaku.

