Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, ka dhënë një kontribut prej 5 mijë eurosh për familjen Prelocaj në Vermosh, e cila po kalon një periudhë të vështirë pas humbjes së djalit të vetëm dhe përballet me probleme ekonomike e shëndetësore.
Futbollisti me origjinë nga Vermoshi ka vendosur të mbështesë bashkëfshatarët e tij në një moment të dhimbshëm për familjen, pas ndarjes nga jeta të Ben Luvigj Prelocajt, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë.
Beni ishte djali i vetëm dhe vëllai i tri motrave. Pas humbjes së tij, nëna dhe vajzat kanë mbetur në një gjendje të vështirë, duke u përballur njëkohësisht me dhimbjen e madhe dhe me shqetësimet financiare e shëndetësore.
Për t’u ardhur në ndihmë, është hapur një fushatë në platformën GoFundMe, përmes së cilës kërkohet solidariteti i qytetarëve për të lehtësuar përditshmërinë e katër grave.
Ndihma e Mario Mitajt prej 5 mijë eurosh është një gjest solidariteti për familjen nga vendlindja e tij, ndërsa apeli për kontribute vijon për të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë nënën dhe tri vajzat në këtë periudhë të
vështirë.

