Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është zhvilluar aktiviteti përmbyllës i një projekti kërkimor kushtuar historisë së shtypit në Shkodër dhe zhvillimit të tij deri në vitin 1920.
Aktiviteti u mbajt në Bibliotekën Shkencore të universitetit, ku u prezantua monografia “Shtypi në Shkodër nga fillimet e tij deri në vitin 1920”, një nga produktet kryesore të projektit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, financuar nga AKKSHI dhe mbështetur nga Universiteti i Shkodrës.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe një ekspozitë me periodikë të botuar në Shkodër gjatë periudhës 1879–1920, duke sjellë për studiuesit dhe publikun dokumente që dëshmojnë zhvillimin e shtypit në qytet.
Monografia është hartuar pas shqyrtimit të 39 organeve periodike dhe trajton jo vetëm historinë e botimeve, por edhe temat, debatet dhe zhvillimet politike, kulturore e shoqërore që pasqyroheshin në shtypin e kohës.
Në projekt kanë kontribuar studiues të Qendrës së Studimeve Albanologjike, mes tyre prof. dr. Artan Haxhi, prof. as. dr. Zamira Shkreli, prof. as. dr. Ermira Alija, prof. dr. Alfred Çapaliku, dr. Erzen Koperaj, dr. Isida Hoxha, e cila ka drejtuar projektin, si edhe prof. as. dr. Karmen Lazri nga Romanistika.
Në aktivitet ishte e pranishme edhe Rektorja e Universitetit të Shkodrës, e cila vlerësoi punën e studiuesve dhe kontributin e projektit në dokumentimin e trashëgimisë së shtypit shkodran.
Ekspozita dhe monografia synojnë të ruajnë dhe të sjellin më pranë publikut një kapitull të rëndësishëm të historisë kulturore dhe intelektuale të Shkodrës.

