Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u prit të mërkurën në mesditë me një ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së saj në Tiranë.
Von der Leyen mbërriti në ambientet e Kryeministrisë, ku u mirëprit nga kreu i qeverisë së Shqipërisë. Vizita e saj në Tiranë është pjesë e një turneu që përfshin katër vende të Ballkanit, me integrimin europian të Shqipërisë në qendër të diskutimeve.
Gjatë vizitës së saj, presidentja e Komisionit Europian ka planifikuar takime si me kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe me presidentin Bajram Begaj.
Von der Leyen sjell në Shqipëri edhe një plan që përfshin një udhërrëfyes të ri të dedikuar për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, me synimin për të mbështetur këto shtete në procesin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ky plan përmban reforma të rëndësishme, afate orientuese dhe objektiva të përcaktuara për përmbylljen e fazave të ndryshme të negociatave të anëtarësimit.
Vëmendje të veçantë pritet të marrin edhe data 6 tetor, kur do të prezantohet rishikimi i politikave të para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetori, kur drejtuesit e Bashkimit Europian do të trajtojnë çështjet e zgjerimit dhe reformat e brendshme të unionit.

