Të premten u mbajtën homazhe në nder të Esat Bushatit, një nga personalitetet më të njohura të futbollit të Shkodrës, i cili u shua në moshën 97-vjeçare.
Homazhet u organizuan në stadiumin “Loro Boriçi”, ku morën pjesë anëtarë të klubit Vllaznia, ish-lojtarë, përfaqësues të Bashkisë Shkodër dhe shumë sportdashës për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-mbrojtësit të njohur.
Gjatë ceremonisë u theksua roli i rëndësishëm dhe kontributi i pandërprerë i Bushatit në futbollin e Shkodrës dhe në atë kombëtar.
Gjatë ceremonisë për figurën e tij dhanë mendimet mjeku i KF Vllaznia, Zyhdi Çoba, ish-futbollisti i Vllaznisë, Xhevdet Basha, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, si dhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Marjan Ndërshtiqaj.
Esat Bushati ka qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë në periudhën ’40-’60, më pas ai luajti edhe për Partizanin. Gjithashtu ai ka përfaqësuar Kombëtaren Shqiptare, duke u shquar si mbrojtës dhe duke u renditur ndër lojtarët më të mirë të brezit të tij.
Me ndarjen nga jeta të Bushatit, futbolli shkodran humbi një prej personaliteteve që kanë qenë themel për zhvillimin dhe traditën e klubit Vllaznia.

