Detaje të reja vijojnë të dalin nga ngjarja e ndodhur në Shkodër, ku mbeti i vrarë 24-vjeçari Ylber Luli. Konflikti mes 25-vjeçarit Andri Vulaj dhe Ylber Lulit dyshohet se ka nisur në zonën e Gjuhadolit, pas një përplasjeje verbale që lidhej me një vështrim mes tyre.
Më pas Andri Vulaj ka shkuar pranë banesës së Ylber Lulit, ku është përfshirë në një konflikt fizik me 24-vjeçarin dhe babain e tij, 63-vjeçarin Qamil Luli.
Gjatë përplasjes, sipas dëshmisë paraprake të dhënë nga Vulaj, ai është sulmuar me thikë nga babë e bir dhe ka nxjerrë armën e zjarrit, duke pretenduar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Një plumb ka prekur në kraharor 24-vjeçarin Ylber Luli, i cili u transportua në spital, por nuk mundi tu mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Ndërkohë, Andri Vulaj dhe Qamil Luli kanë mbetur të plagosur gjatë konfliktit dhe sipas të dhënave paraprake ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës ka arrestuar 25-vjeçarin Andri Vulaj, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur.

