Edward P. Joseph, profesor në “Johns Hopkins University”, ka theksuar se Serbia ka një ndikim të theksuar negativ në Malin e Zi përmes fushatave mediatike dhe narrativave që synojnë destabilizimin.
Sipas këtij eksperti amerikan, ekzistojnë dëshmi të forta që tregojnë përpjekjet e qeverisë në Beograd për të dëmtuar reputacionin e Podgoricës në sytë e partnerëve perëndimorë. Ai bëri të qartë se Serbia ka për synim të krijojë tensione ndëretnike, duke penguar kështu drejtpërdrejt procesin e integrimit të Malit të Zi. Për këtë arsye, edhe kryeministri Spajiç ka drejtuar publikisht akuzat ndaj fqinjit verior.
“Mendoj që ka prova të qarta që tregojnë se Serbia përmes medias tregojnë narrative dhe gjëra që të rrëzojnë imazhin e Malit të Zi përpara Perëndimit dhe të krijojnë një situatë negative. Është shumë e qartë që Serbia përpiqet të krijojë tensione mes serbëve dhe Malit të Zi dhe serbëve të Malit të Zi, që të ndikojnë në integrimit e Malit të Zi. Kryeministri Spaiç po e drejton gishtin qartazi drejt Serbisë”, tha ai.
Joseph, duke vënë në dukje dallimet brenda rajonit, vlerësoi se sulmet hibride që përjeton Mali i Zi, ndryshe nga rastet e tjera, synojnë thellimin e ndasive të brendshme. Ai i konsideroi të ndryshme nga ato që ka kaluar Shqipëria.
Sa i takon qëndrimit të Tiranës, profesori theksoi se Shqipëria është përballur me sulme të rënda kibernetike që vijnë nga Irani. Sipas tij, kjo ka ndodhur si pasojë e marrëdhënieve shumë të afërta që ka Shqipëria me Shtetet e Bashkuara dhe me vende të fuqishme evropiane si Italia. Ai shtoi gjithashtu se armiqësia e thellë e Teheranit ndaj Shqipërisë lidhet edhe me faktin që Tirana është një kandidate e mundshme për të pritur samitin e ardhshëm të NATO-s.
“Patjetër që Shqipëria ka qenë pjesë e sulmeve hibride, por këto nuk mund të krahasohen me sulmet hibride në Malin e Zi, sepse serbët kërkojnë ndasi. Shqipëria ka qenë target i sulmeve serioze nga Irani, për shkak se ka një marrëdhënie shumë të mirë me SHBA dhe me disa vende shumë të fuqishme në Europë, si Itali. Me gjasë samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri, prandaj dhe është vënë në shënjestër të Iranit. Është një mllef paranojak i Iranit ndaj Shqipërisë”, shtoi analisti.

