Prej më shumë se dy muajsh, Bashkia Vau i Dejës është pa qendër shëndetësore funksionale. Është e papranueshme që në një vend ku propaganda qeveritare flet për “shëndetësi falas”, qytetarëve t’u mohohet edhe shërbimi bazë shëndetësor.
Humbja e jetës së dy qytetarëve është një kambanë alarmi dhe kërkon përgjegjësi të menjëhershme institucionale. Ministrja e Shëndetësisë duhet t’u japë qytetarëve përgjigje të qarta: Pse qendra nuk funksionon? Kush mban përgjegjësi? Çfarë masash janë marrë dhe kur do të rikthehet shërbimi?
Prej dy muajsh qeveria hesht, institucionet lokale po ashtu, ndërsa qytetarët mbeten pa një zgjidhje konkrete.
Në fillim të këtij viti, qeveria krenohej se kishte alokuar buxhetin më të madh të të gjitha kohërave për shëndetësinë, ndërsa vetëm pak ditë më parë Ministrja Sala tam-tamet e shëndetësisë që, zgjidhet nga turistët e huaj në Shqipëri.
Realiteti është krejt tjetër.
Shëndetësia sot është në situatën më të rëndë. Mungojnë qendrat shëndetësore funksionale, barnat, pajisjet dhe shërbimet bazë. Madje, QSUT detyrohet të kërkojë edhe sponsorizime private për nevoja elementare.
Atëherë, ku shkojnë paratë e shëndetësisë? Ku janë fondet për mjekët, qendrat shëndetësore, barnat, pajisjet mjekësore, terapitë dhe diagnostikimin?
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, do të kërkoj interpelancë urgjente për situatën e rëndë të shëndetësisë, duke kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga qeveria dhe Ministrja e Shëndetësisë.
Largimi i kësaj qeverie është një imperativ absolut, sepse një qeveri që nuk përmbush misionin e saj themelor për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar një shërbim shëndetësor të plotë, cilësor dhe të aksesueshëm për qytetarët, duhet shporrur një orë e më parë.
Qytetarët nuk kanë nevojë për propagandë. Kanë nevojë për mjekë, ilaçe, shërbim dhe një shtet që mbron jetën e tyre.

