Michael Carrick do të vijojë të jetë në krye të Manchester United, të paktën për ndeshjen e ardhshme në Premier League ndaj Chelsea, që do të luhet të shtunën.
Pavarësisht rezultateve negative dhe presionit në rritje, drejtuesit e klubit anglez kanë vendosur t’i japin trajnerit një tjetër mundësi për të ndryshuar situatën.
Sipas raportimeve të mediave angleze, burime pranë Manchester United bëjnë me dije se Carrick do të ketë mundësinë të rikthejë skuadrën te rezultatet pozitive, edhe pse ekipi ka regjistruar tetë ndeshje pa fitore dhe ndodhet në vendin e 16-të të renditjes.
Trajneri u paraqit në qendrën stërvitore të Carringtonit në orën 07:30 të së martës, për të drejtuar seancën stërvitore të skuadrës. Pas pushimit të së hënës, lojtarët janë rikthyer në stërvitje për t’u përgatitur për sfidën e rëndësishme ndaj Chelsea-t.
Në kampin e United, lojtarët dhe stafi janë të përqendruar te reagimi pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Bournemouth, rezultat që ka shtuar edhe më shumë presionin mbi skuadrën.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë edhe alternativa të mundshme për stolin, por ende nuk duket se kanë bindjen e plotë për emrat që janë përmendur si kandidatë. Mes tyre janë Antonio Conte, Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann.
Emri i Unai Emery, aktualisht në krye të Aston Villa-s, pëlqehet nga disa figura brenda Manchester United, por kontrata e tij deri në vitin 2029 dhe kostoja e mundshme e largimit e bëjnë një marrëveshje të vështirë.
Edhe Fabian Hürzeler, trajneri i Brighton, duket një alternativë e komplikuar për shkak të dëmshpërblimit të lartë që klubi do të kërkonte për lirimin e tij.
Për momentin, Manchester United ka zgjedhur të mos bëjë një ndryshim të menjëhershëm dhe t’i japë Carrick mundësinë të tregojë se mund ta nxjerrë skuadrën nga kriza.

